Robert Bosch, shefi i ri i OSBE-së në Tiranë
Autori i Lajmit: Red.Holandezi Robert Bosch emërohet shefi i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. I emëruar nga mbretëria e vendit të tij, Bosch do ta marrë detyrën e re më 25 tetor. Detyra në Shqipëri për Bosch vjen pas shërbimit të tij dy vjet si zëvendëspërfaqësues i përhershëm i delegacionit holandez në OSBE. Para kësaj, Bosch mbajti disa poste në ambasadat e Mbretërisë së Holandës në Portugali, Luksemburg dhe Vienë. Ai shërbeu, gjithashtu, si përfaqësues i posaçëm i Holandës në Konferencën Botërore të Kombeve të Bashkuara për Uljen e Varfërisë, si dhe këshilltar i posaçëm për Kryesinë holandeze të Bashkimit Evropian. Bosch pason në këtë detyrë Pavel Vaçekun nga Republika Çeke, i cili shërbeu si Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për periudhën 2004-2007. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u krijua nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së më 27 mars 1997.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007