Britania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Autori i Lajmit: Suela TopiKryeministri Sali Berisha merr mbështetjen e Britanisë së Madhe për integrimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Konfirmimi erdhi gjatë një takimi që ai zhvilloi dje në Londër me Kryetarin e Parlamentit britanik, zotin Michael Martin, në kuadër të një vizite zyrtare që po zhvillon atje. Zyra e Shtypit pranë Kryeministrit bëri të ditur se gjatë takimit, Martin vlerësoi reformat e ndërmarra dhe shprehu konsiderata për politikën e zhvillimit që po ndjek Qeveria shqiptare. Kryeministri vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Zoti Berisha e njohu zotin Martin me reformat dhe rezultatet e deritanishme të qeverisë shqiptare, të fokusuara kryesisht në vendosjen e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Kryeministri theksoi se përmbushja e reformave është edhe në funksion të përmbushjes së aspiratës së Shqipërisë për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Duke e njohur kryeparlamentarin britanik me reformën në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Kryeministri kërkoi mbështetjen e Parlamentit dhe të qeverisë britanike për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit.
Mbështetja
Kryetari i Parlamentit anglez, Martin, vlerësoi reformat e ndërmarra dhe shprehu konsiderata për politikën e zhvillimit që po ndjek qeveria shqiptare, ndërsa e siguroi kryeministrin Berisha se Parlamenti britanik mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Duke u ndalur në sukseset e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, kreu i ekzekutivit nënvizoi bashkëpunimin e shkëlqyer në këtë drejtim ndërmjet institucioneve shqiptare dhe atyre britanike. Kryeministri e njohu kryeparlamentarin Martin dhe me përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri dhe interesin gjithnjë në rritje të investitorëve të huaj. Më konkretisht, Berisha përmendi iniciativat për prokurimet elektronike, “One Stop Shop”, nismën “Shqipëria 1 Euro”, etj. Ndërkohë po dje, Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e Grupit Gjithëpartiak Parlamentar Britani-Shqipëri, zotin John Austin dhe delegacionin parlamentar britanik që do të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Berisha dhe Austin diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, si dhe për zhvillime të ndryshme në Shqipëri përfshi këtu rolin dhe lirinë e medias, proceset zgjedhore dhe reformat në fusha të ndryshme, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar. Berisha dhe parlamentarët britanikë diskutuan edhe për çështjen e Kosovës, për të cilën ndanë të njëjtin mendim se zgjidhja e duhur është pavarësia. Delegacioni parlamentar britanik vlerësoi se pavarësia e Kosovës është jo vetëm zgjidhja e duhur, por edhe zgjidhja më e dëshiruar nga politika britanike.
Kryeministri Berisha dhe anëtarët e Grupit Parlamentar Britani-Shqipëri diskutuan dhe për kontributin që Forcat e Armatosura Shqiptare kanë dhënë në misionet paqeruajtëse përkrah forcave të NATO-s.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007