Prokuroria: “Kuvendi të pranojë marrjen e kërkesës”
Autori i Lajmit: Red.
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi dje nga Kuvendi që të konfirmojë marrjen në dorëzim të kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha. Zyra e kryeprokurorit sqaron se, sipas protokollit, kërkesa është dorëzuar të hënën në orën 10 në Kryesinë e Kuvendit dhe është marrë në dorëzim nga punonjësi i protokollit, Artan Dukagjini, i cili ka nënshkruar në Librin e Prokurorisë së Përgjithshme për marrjen e kërkesës. Në raportin shpjegues për heqjen e imunitetit të Bashës, të dorëzuar në Kuvend nga Prokuroria e Përgjithshme, thuhet se procedurat e ndjekura për rrugën Durrës-Kukës kanë shkaktuar një dëm prej 385 milionë euro. Raporti thotë se zyrtarët e Ministrisë së Transporteve, përfshi edhe ish-ministrin e këtij dikasteri, Lulzim Basha, kanë abuzuar me detyrën në rastin e tenderit për ndërtimin e kësaj rruge.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007