Mehmet Shehu nxjerr nga salla ushtarakët
Autori i Lajmit: Red.“Tradhtarët e Partisë dhe të popullit, Beqir Balluku e Hito Çako, me qëllime të caktuara thellësisht armiqësore, i mbyllën në kasafortë Tezat mbi Artin Ushtarak Popullor, duke e lënë ushtrinë që të punojë me rregullore të vjetra. Në të njëjtën kohë, Beqir Balluku dhe Hito Çako futën gjerësisht në ushtri literaturë të huaj armiqësore, duke u bërë kështu përhapës të ideologjive revizioniste borgjeze. Një punë të dënueshme e tepër të rrezikshme në futjen e helmit revizionist në ushtri ka bërë Drejtoria Politike, Shtabi i Përgjithshëm, si dhe Instituti i Studimeve Ushtarake, që drejtohet nga shoku Sadik Bekteshi, dhe Drejtoria II, që drejtohet nga shoku Andon Sheti". Kështu thuhet në mes të tjerash në rezolutën e mbledhjes së Aktivit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të zhvilluar më datën 16 nëntor të vitit 1974, vetëm një muaj para asaj mbledhjeje të 12 dhjetorit 1974, ku kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, do t u komunikonte atyre vendimet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi "Veprimtarinë armiqësore të Grupit puçist të Beqir Ballukut" dhe do të nxirrte jashtë nga salla e asaj mbledhjeje disa prej ushtarakëve më të lartë të ushtrisë shqiptare, të cilët Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së i konsideronte si armiq dhe përkrahës të "Grupit të Beqir Ballukut". Në dokumentin arkivor me titull: "Rezoluta e Mbledhjes së Aktivit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore" (Tiranë 16. II. 1974), midis të tjerash shkruhet: "Aktivi i Partisë i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, i cili zhvilloi punimet prej datës 22 deri më 25 nëntor 1974, pasi studioi e dëgjoi me vëmendje analizën e konkluzionet e shokut Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, të datës 10 tetor 1974, si dhe para kuadrove ushtarakë mbi temën: "Të spastrojmë me fshesë të hekurt veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. Të nxjerrim mësime për forcimin e mëtejshëm të punës së partisë në Ushtri", diskutoi me frymë të lartë partishmërie, i aprovoi ato njëzëri dhe i konsideron dokumente me rëndësi të madhe historike dhe shpëtimtare për fatet e ndërtimit të socializmit e të mbrojtjes së vendit. Ato përbëjnë një program të madhe pune e lufte për të rritur gjithnjë e më shumë rolin udhëheqës të Partisë në tërë veprimtarinë e jetën e ushtrisë sonë, për thellimin e frymës proletare, marksiste-leniniste të Forcave të Armatosura dhe të gjithë popullit ushtar, e për ta bërë të pathyeshme për jetë mbrojtjen e atdheut tonë socialist. Në aktiv, nëpërmjet analizës së fakteve dhe ngjarjeve, doli se veprimtaria armiqësore e Beqir Ballukut nuk ka qenë e mbyllur, por është shtrirë në shkallë të ndryshme në të gjitha sferat e jetës së ushtrisë. Me plot argumente u vërtetua se në tërë këtë veprimtari, Beqir Balluku ka pasur si bashkëpunëtor të përhershëm dhe Hito Çakon. Të dy këta armiq të betuar të popullit, të Partisë dhe të socializmit, duke vepruar me vetëdije, si komplotistë dhe diversionistë të regjur, si puçistë e njerëz me dy fytyra prapa shpinës së udhëheqjes së partisë, punuan me konseguencë për revizionimin e vijës së përgjithshme të Partisë, për të dobësuar gatishmërinë luftarake dhe minimin e fateve të socializmit”.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007