E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanadaja pro integrimit të Shqipërsië në strukturat euroatlantike

Autori i Lajmit: Red.Kanadaja mbështet integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Konfirmimi u bë dje gjatë një vizite që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi në shtetin kanadez me ftesë të Kryetarit të Dhomës kanadeze të Përfaqësuesve, Peter Milliken. Gjatë ditës së parë të vizitës, kryeparlamentarja zhvilloi një takim me kryetarin e Senatit të Kanadasë, Noël Kinsella. Ai vlerësoi pasurimin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Ndërkohë, kryeparlamentarja shqiptare shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që Kanadaja ka dhënë për Shqipërinë edhe përmes projekteve të saj. Topalli tha se Shqipëria ka si prioritete të saj anëtarësimin në BE dhe NATO. Nga ana e tij, Kinsella theksoi se Shqipëria ka bërë një progres impresionues në forcimin e demokracisë dhe garantoi mbështetjen e vendit të tij në proceset integruese të vendit tonë. Çështja e Kosovës ishte një tjetër pikë e diskutimit në takim. Topalli theksoi qëndrimin e Shqipërisë se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje për paqen e qëndrueshme në rajon e më gjerë. Ndërkohë dhe kryesenatori tha se Kanadaja mbështet propozimet e Paketës Ahtisari dhe se në Kosovë mund të funksionojë shteti multietnik. Ndërkohë po dje Topalli takoi ministrin e Jashtëm, Maxime Bernier dhe kryetarin dhe përfaqësuesit e Zyrës së Zhvillimit të Eksportit të Kanadasë.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›