Rrufetë lënë në terr Vlorën dhe Dukagjinin
Moti i keq, me shkarkesa elektrike ka lënë në terr disa qytete të vendit. Kështu, në Vlorë ka munguar furnizimi me energji elektrike për disa orë të paradites, për t’u rikthyer në orët e mesditës. Mungesa e energjisë ka paralizuar për disa orë Gjykatën e Rrethit të Vlorës, ku për më shumë se tri orë nuk është mundur të kryhet asnjë veprim. Ndërkohë që në lagjet “Pavarësia”, “Isa Boletini” dhe “28 Nëntori” dhe disa lagje të reja, energjia është rikthyer vetëm gjatë orëve të pasdites. Në Shkodër, dëmtimi i basenit ujëmbledhës të hidrocentralit të Ndërlysës ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për zonën e Dukagjinit. Defekti ende nuk është riparuar dhe sipas punonjësve të këtij hidrocentrali, i cili është dhënë me koncesion, mësohet se është duke u punuar dhe se shumë shpejt do të bëhet i mundur rikthimi i energjisë elektrike. Ndërkohë, 40 familje të lagjes “Budull”, të Krujës janë ngritur dje në një protestë, pasi u është ndërprerë energjia elektrike. Sipas specialistëve të OSSH-së, kjo ka ndodhur për shkak të mbingarkesës në rrjet dhe nuk bëhet fjalë për kufizime të energjisë elektrike.
#