E Diel, 1 Nëntor 2026

Ksera: Kontrata kolektive e punës, themeli i dialogut social

Në fjalën e tij, ministri Spiro Ksera, tha se forcimi i rolit të Këshillit Kombëtar të Punës është vlerësuar me nota pozitive edhe nga Raporti më i fundit i BE për Shqipërinë.

Ai vlerëson si një arritje të forcimit të dialogut social në Shqipëri edhe nënshkrimin e Marrëveshjes Tripalëshe të Mirëkuptimit Qeveri-Punëdhënës-Punëmarrës një vit më parë, e cila solli vendimmarrjen e Qeverisë për mosndryshimin e çmimit të energjisë elektrike.

“Ministria e Punës e konsideron kontratën kolektive të punës themelin e dialogut social dhe ka ndërtuar politika që konsistojnë në funksionimin aktiv të mekanizmave të dialogut nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor. Aktualisht, në Shqipëri ekzistojnë tetë kontrata kolektive mes Federatave dhe Ministrive të linjës, të cilat mbulojnë 74 356 punonjës; njëmbëdhjetë kontrata kolektive ndërmjet Federatave dhe institucioneve publike, të cilat mbulojnë 62 295 punonjës; dhjetë kontrata kolektive me Koorporatat e mëdha nëpërmjet të cilave mbulohen rreth 10 000 punëmarrës; si dhe 463 kontrata kolektive në nivel ndërmarrjeje në të dy sektorët”, theksoi ai.

Ministri u shpreh se një nga risitë në legjislacionin e punës është krijimi i Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në nivel ndërmarrje. Duke folur për akuzat e opozitës se në vend ka 1 milion të papunë, ministri Ksera, ka shpjeguar me shifra përbërjen e popullsisë dhe forcës së punës. “Problemi i punësimit në Shqipëri përbën një ndër prioritetet dhe sfidat e Qeverisë dhe Ministrisë se Punës. Në zyrat e punësimit si punëkërkues të papunë aktualisht janë të regjistruar 142 982 persona ose 13,29%. Në bashkëpunim me partnerët, jemi të përkushtuar të ndërmarrim politika dhe masa që në vazhdimësi do të ndikojnë pozitivisht në tregun e punës, duke e bërë atë më fleksibël dhe afruar sa më pranë kërkesën me ofertën për punë”, vijoi. /Start/

                                                                                             2012-05-17 12:29
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›