Ksera mashtron me shifrat e fëmijëve të punësuar, nga 50 mijë deklaron vetëm 700
Ata i shohim të gjithë, tek enden në çdo orë të ditës duke vrapuar për të shitur ndonjë paketë cigaresh, apo për të larë ndonjë xham makine, vetëm e vetëm për të fituar 30 lekë të vjetra. Përpos kësaj, askush nuk kujdeset për ta, Ministria përgjegjëse jo e jo
por në rastet më banale as vetë prindërit e tyre që i nxjerrin në rrugë a i punësojnë me kast, për të mbajtur familjen e me para. Bota e tyre është e pabesueshme, ata kryejnë llogari ashtu si nuk mund ti kryente as edhe një i rritur, mendojnë se dje, kanë nxjerrë 500 lekë të reja e me ato do tu duhet të paguajnë faturat e ujit apo të dritave, por më e keqja është atëherë kur edhe pse pronarë të ndryshëm i kanë mbajtur në punë për më shumë se 8 orë me rradhë, i kanë përzënë duke i paguar në mënyrë qesharake. As më shumë e as më pak të gjithë fëmijët të cilët për shkak të kushteve tepër të vështira të familjeve të tyre detyrohen të punojnë shkojnë në shifrën e 50 mijë fëmijëve që nga mosha 8-12 vjeç. Shifrën tronditëse e bën publike kreut i CRSA-së Altin Hazizaj i cili tha për gazetën SOT se edhe pse nga institucioni që ai drejton i ka kërkuar Ministrisë së Punës të hartojë një projektligj për mbrojtjen e fëmijëve të cilët shfrytëzohen nëpërmjet punës, nga ky institucion nuk është marrë asnjë masë, e kjo kategori fëmijësh është lënë në mes të katër rrugëve. Nga ana tjetër Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, në Takimin e Nivelit të Lartë që u mbajt sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Punës së Fëmijëve, organizuar nga Zyra e ILO-IPEC (Organizatë Ndërkombëtare ë Punës-Programi për Eleminimin e Punës së Fëmijëve) ka deklaruar se në vendin tonë sipas statistikave, numërohen vetëm 700 fëmijë që janë shfrytëzuar nëpërmjet punës, të cilët aktualisht trajtohen në qendrat rezidenciale. Gjatë fjalës së tij ditën e djeshme Ksera deklaroi se do të penalizojë me karton të Kuq të gjithë institucionet që nuk do të realizojnë detyrimet për eleminimin e punës së fëmijëve. Shqipëria duhet të jetë shteti i parë i cili të realizojë objektivin e ILO që, deri në 2016, ti japë fund formave më të këqija të punës së fëmijëve në të gjithë botën, u shpreh Ministri i Punës, dhe kjo mund të arrihet nëse ne bashkojmë forcat në luftën kundër këtij fenomeni të shëmtuar të shoqërisë dhe angazhohemi që secili të realizojë detyrimet e veta.
Precedenti
Ministri vuri në dukje përpjekjet serioze që po bën Shqipëria për të kaluar në një faze të re të rritjes ekonomike dhe integrimit evropian, por, theksoi ai, jemi të vetëdijshëm se ekonomia informale vazhdon të ekzistojë dhe të krijojë terren për punësimin e fëmijëve dhe braktisjen e shkollës, veçanërisht nga fëmijë që i përkasin grupeve në nevojë si, komuniteti Rom, fëmijë me paaftësi fizike e mendore, fëmijë që nuk e gëzojnë kujdesin prindëror, etj., duke bërë që pikërisht këta fëmijë të jenë më të rrezikuar, pasi risqet për përfshirjen e tyre në format më të këqija të punës si, shfrytëzimi dhe trafikimi, janë shumë më të mëdha se për fëmijët e tjerë. Duke qenë se fenomeni i punësimit të fëmijëve është një fenomen kompleks ministri kërkoi bashkëpunimin dhe koordinimin e punës së të gjithë institucioneve. Sipas Ministri të Punës, ky bashkëpunim ka rezultuar i suksesshëm në zbatimin e Projektit të mbështetur nga ILO-ILEC, nëpërmjet ngritjes së Komiteteve në rajonet ku është shtrirë Sistemi i Monitorimit të Punës së Fëmijëve si Tirana, Korça, Berati, Elbasani, Shkodra. Duke u ndalur tek puna e bërë nga Komitetet Lokale, Ksera theksoi se ato kanë ofruar shërbime për 702 fëmijë të përfshirë në format më të këqija të punës apo në risk dhe për 1500 prindër, duke u ofruar informacion mbi pasojat e fenomenit të punës së fëmijëve, shërbimet sociale ekzistuese, mundësitë për punësim. Ministria po sheh mundësinë e shtrirjes së këtij modeli në të gjithë vendin, u shpreh Ministri i Punës. Aktivitete me rastin e Ditës Botërore po mbahen sot në më shumë se 60 vende të botës, me pjesëmarrjen e qeverive, punëdhënësve, punëmarrësve, përfaqësive të OKB, organizatave jo-fitimprurëse dhe shoqërisë civile. Shumë aktivitete do të fokusohen në tërheqjen e vëmendje nëpërmjet fushatës së Kartonit të Kuq kundër punës së fëmijëve, duke e lidhur këtë fushatë me nisjen e Kampionatit Botëror të Futbollit.
40 mijë fëmijë rrezikojnë të lënë shkollën, gjobiten vetëm 10 familje
Në të gjithë vendin mendohet se punojnë rreth 50 mijë fëmijë të cilët janë klasifikuar nga drejtuesit e shkollave si nxënës në rrezik braktisjeje. Kreu i sindikatës së Arsimit Xhaferr Dobrusha tregon se gjatë katër viteve të fundit numërohen rreth 5600 fëmijë që kanë braktisur shkollat dhe vetëm 10 familje janë gjobitur nga shteti. Në konferencën e mbajtur për punën e fëmijëve është diskutuar për uljen e moshës së punës se fëmijëve nga 16 në 15 vjeç. Dobrusha mendon se shkollat duhet ta bëjnë më atraktiv dhe me cilësor mësimin për të tërhequr këtë kontigjent nxënësish që vijnë nga familje të varfra. Nxënësit e klasave të pesta dhe të gjashta në periferi të Tiranës, por edhe në Fier, Korçë, Elbasan dhe Durrës, braktisin orët e mësimit për të punuar në rrugë dhe për të nxjerrë para për familjet e tyre. Sipas përfaqësuesit të sindikatave të arsimit, Xhafer Dobrushi, zbatimi i Projektit Sistemi i Monitorimit të Punës së Fëmijëve ka dhënë rezultate konkrete. Në katër vitet e fundit, u shpreh Dobrushi, ka patur një ulje të lehtë të numrit të fëmijëve që braktisin shkollat. Problem, sipas tij, mbeten zona të tilla si rrethinat e Tiranës, të cilat janë të populluara me banorë të ardhur dhe ku braktisja është shqetësuese sidomos tek vajzat, por më në risk për të braktisur shkollën mbeten djemtë. Dobrushi kërkoi shtrirjen e shkollave pilot të konsideruara Zona pa punë fëmijësh, si ajo e ngritur në Levan të Fierit, ku në fund të çdo muaji familjeve të fëmijëve që i kthehen shkollës u akordohet një paketë ushqimore. Koordinatorja Kombëtare për Projektin Monitorimi i Punës së Fëmijëve, Etleva Vërtopi, vlerësoi angazhimin e strukturave shtetërore për njohjen dhe menaxhimin e fenomenit shqetësues të punës së fëmijëve, veçanërisht të Ministrisë së Punës. Sipas Vërtopit, me qëllim që niveli i përhapjes së fenomenit të njihet realisht, Ministri i Punës ka shprehur kërkesë për realizmin e një studimi kombëtar për punën e fëmijëve, i cili ka filluar të realizohet nga INSTAT dhe Ministria e Punës, me mbështetje të ILO-IPEC. Në fund, Vërtopi prezantoi rekomandimet që dolën në këtë takim për Udhërrëfyesin Shqiptar kundër Punës së Fëmijëve, ndër të cilat, përafrimi i moshës së arsimit të detyruar me moshën minimale për punë (aktualisht 16 vjeç), rishikimin e kuadrit ligjor dhe dokumentave politikë ekzistues, duke përfshirë në to edhe punën e fëmijëve, forcimin e strukturave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, për rritjen e efikasitet të inspektimeve në identifikimin e punës së fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre, rishikimin e kurrikulave shkollore të arsimit të detyrueshëm, me qëllim bërjen sa më atraktiv dhe tërheqës të procesit mësimor për fëmijët që kanë braktisur shkollën apo në rrezik për ta braktisur.
Arta AGOLLI