E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen në Shqipëri 17 mijë emigrantë

Autori i Lajmit: red.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë kthyer në atdhe për festat e fundvitit rreth 12 mijë emigrantë. Pothuajse në të gjitha pikat e kalimit kufitar ka pasur radhë të gjata dhe emigrantëve u janë dashur orë të tëra për të përpunuar dokumentet. Kështu vetëm në portin e Durrësit, gjatë 24 orëve të fundit, kanë mbërritur 14 tragete, të cilët kanë sjellë 11.409 udhëtarë, shumica bashkatdhetarë, që kanë vendosur të festojnë ndërrimin e viteve pranë familjeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Durrës
Gjatë 24 orëve të fundit, në portin e Durrësit kanë mbërritur 14 tragete, të cilët kanë sjellë 11.409 udhëtarë, shumica bashkatdhetarë, që kanë vendosur të festojnë ndërrimin e viteve pranë familjeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ashtu si emigrantët shqiptarë në Greqi, edhe ata në Itali kanë zgjedhur të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri dhe jo vetëm. Për të qenë pranë familjeve në festën e Krishtlindjeve, mësohet se ka vazhduar edhe gjatë natës së Krishtlindjeve lundrimi i trageteve me udhëtarë nga portet italiane drejt Durrësit. Nga drejtoria portuale e Durrësit bëhet e ditur se ditët e fundit numri i udhëtarëve që vijnë me tragete është rritur dhe që nga mëngjesi i ditës së mërkurë në 20 sportelet e kontrollit kufitar janë regjistruar në hyrje 8581 udhëtarë shqiptarë me 1937 autovetura dhe 2828 të huaj me 451 autovetura gjithsej. Dje në portin e Durrësit kanë mbërritur nga Bari, Ankona dhe Trieste 9 tragete gjithsej, ndërsa mëngjesin e sotëm janë përpunuar tre tragete që ishin nisur natën e kaluar nga Bari. Ndryshe nga ç ndodh zakonisht, në doganat e Kapshticës dhe Kakavijës, nga porti i Durrësit bëhet e ditur se nuk ka pasur probleme dhe është përballuar me sukses përpunimi i udhëtarëve dhe automjeteve.
Kakavijë
Radhë të gjata në Pikën e Kalimit Kufitar me Greqinë, në Kakavijë. Gjatë 24 orëve të fundit kjo pikë ka shënuar numrin më të lartë të emigrantëve, të cilët kthehen pranë familjeve të tyre me rastin e festave të fundvitit. Burime nga policia bënë të ditur se vetëm në harkun e 24 orëve të fundit në tokën shqiptare kanë hyrë mbi 15 mijë qytetarë dhe 4 mijë automjete. Fluksi më i madh i emigrantëve është shënuar gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm, ku radha e automjeteve në tokën greke arrinte deri në tre kilometra, kjo edhe për shkak të kalimit të linjave të autobusëve Greqi-Shqipëri. Pikërisht për këtë arsye, menjëherë përfaqësues të doganës kanë zhvilluar një sërë takimesh me homologët e tyre grekë, çka ka sjellë edhe rritjen e numrit të sporteleve nga kjo doganë nga 2 në 6. Numri i emigrantëve që kthehen në Shqipëri pritet të rritet në ditët në vijim.

3 km radha e makinave në tokën greke

Dogana greke e Kakavijës është përballur dje me një fluks të rënduar të automjeteve dhe këmbësorëve që udhëtojnë në drejtim të Shqipërisë. Si shkak i fluksit të rënduar të lëvizjes, radha e automjeteve të emigrantëve, gjatë daljes së tyre nga toka greke, ka qenë rreth 3 km e gjatë. Madje si shkak i fluksit të rënduar emigrantëve iu është dashur të presin për rreth 2 orë për të përfunduar procedurat doganore. Dogana shqiptare ka marrë të gjitha masat dhe po punohet me kapacitet të plotë gjithashtu edhe nga pala greke nga takimet e vazhdueshme që ka pasur është i njëjti angazhim dhe po punohet me kapacitetin me 6 sportele dhe besoj se po e përballojmë mirë punën dhe po e përballojmë më sukses këtë fluks”. Ndërkohë edhe konsulli shqiptar në Janinë, Eshref Shehu, ka përmendur masat e marra për uljen në maksimum të pritjes së emigrantëve në kufi në këtë situatë me fluks të rënduar. ”Ne e pritnim të ishte një fluks i dukshëm dhe kjo duket në radhët që ka në Kakavijë”, - ka pohuar konsulli Shehu. “Ne,- ka vijuar ai,- pak a shumë i kishim marrë masat, kemi biseduar me drejtuesit e policisë në Janinë, ata kanë marrë të gjitha masat e duhura, mendoj se po punohet jashtëzakonisht mirë në Kakavijë për shmangien e radhëve të pritjes”. Vetën gjatë dy ditëve të fundit, nëpërmjet doganës së Kakavijës, kanë hyrë në Shqipëri rreth 22 mijë emigrantë. Nisur nga tradita e viteve të kaluara, pritet që fluksi i hyrjeve në Kakavijë të jetë i lartë gjatë gjithë ditëve të festave.

Radhë emigrantësh në Kapshticë

Emigrantëve shqiptarë që kthehen nga Greqia për festat e fundvitit u është dashur të përballen jo vetëm me temperaturat e ulëta, por dhe me pritjet e gjata në kufi. Kështu, radhë të gjata janë shënuar dje dhe në Pikën Kalimit Kufitar të Kapshticës. Mësohet se fluksi i emigrantëve që kthehen me rastin e festave të fundvitit pranë familjeve ka qenë i konsiderueshëm dhe në këtë pikë doganore. Megjithëse pala shqiptare ka punuar me kapacitet të plotë, emigrantëve u është dashur të presin për shumë kohë për përpunimin e dokumenteve dhe bagazheve nga pala helene. Gjatë kësaj periudhe, më pak problematike për sa u përket radhëve ka qenë Pika e Kalimit Kufitar “3 Urat”.

Festat rrisin fluksin e emigrantëve në portin e Vlorës

Një numër i madh emigrantësh është regjistruar ditën e djeshme në portin e Vlorës, duke shënuar kështu edhe ditën me fluksin më të madh që ky port ka pasur. Emigrantët kanë vendosur që këtë fundvit festat t i kalojnë pranë familjarëve të tyre. Me dy tragetet e linjës VLorë-Brindizi në portin e Vlorës kanë mbërritur 1401 pasagjerë dhe 447 automjete. Sipas autoriteteve portuale, janë marrë të gjitha masat që fluksi të përballohet pa probleme, por pavarësisht masave, numri i madh i emigrantëve ka bërë që gjatë përpunimit të pasagjerëve të krijohen vonesa. Sipas të njëjtave burime, numri i lartë që shihet ditët e fundit të vitit është se shumë emigrantë e kanë mbyllur ditën e punës një ditë para Krishtlindjeve. Ditën e shtunë dhe të diel pritet dhe kontigjenti i fundit i ardhjes së emigrantëve, numri i të cilëve do të jetë i lartë.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›