Kthehen për pushime, dy të kërkuar në pranga
Policia e Komisariatit të Lushnjës dhe ajo e Fierit kanë vënë në pranga dy të kërkuar që sapo ishin kthyer në atdhe për pushime. Burimet zyrtare të policisë së Fierit dhe të Lushnjës pohojnë se informacionet për kthimin e tyre janë siguruar në rrugë operative, ndërkohë që arrestimet e dy personave kanë ndodhur në banesat e tyre. Blutë e Lushnjës kanë vënë në pranga mbrëmjen e kaluar 45-vjeçarin Sefedin Mullaj, nën akuzën e "falsifikimit të akteve të gjendjes civile". 45-vjeçari, banues në fshatin Gur të rrethit Lushnjë është arrestuar në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Lushnjë. Mësohet se ky shtetas kishte paraqitur një certifikatë që përmbante gabime në hartimin e akteve të gjendjes civile. Kjo certifikatë ishte paraqitur në policinë e Lushnjës për pajisen me pasaportë. Ndërkohë, dhe sektori kundër krimit financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier ka bërë të mundur ndalimin e shtetasit Vilson Cutaj, 26 vjeç, i cili ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale "Falsifikim të dokumenteve". Cutaj, banues në fshatin Bajzë të rrethit Shkodër është kapur me dokumente false nga policia e Fierit dhe është dënuar rreth 1 muaj më parë me 200 mijë lekë gjobë. Në pamundësi pagimi të gjobës, gjykata e ka konvertuar dënimin në 40 ditë burg.
Ma. Tr.
Ma. Tr.