E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, aksion për 548 të kërkuar në Fier

Festat e fundvitit shërbejnë si "grackë" për të kërkuarit nga policia. Pikërisht për këtë arsye këto ditë do të nisë forcimi i sektorit të qarkullimit rrugor dhe ai i rendit, për të arritur përmbushjen e misionit për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Plot 548 persona të kërkuar në Qarkun e Fierit do të bëhen pjesë e kërkimeve policore gjatë kësaj periudhe festash. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se mes të kërkuarve ka edhe 202 të shumëkërkuar që kanë dosje të hapura në sektorin e kërkimit të operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Krahas sektorit të qarkullimit janë angazhuar edhe sektorët e tjerë. Kështu mësohet se seksioni i operacioneve speciale, ai i personave në kërkim janë përqendruar pikërisht te mbledhja e informacioneve për personat që janë në listën e të kërkuarve. Dyfishimi i patrullave të qarkullimit rrugor dhe shtimi i patrullave policore kryesisht në pika kyçe dhe rrugët e rrahura nga kufijtë e vendit siç është Vlora apo Kakavija, janë masat e marra për këtë fundvit nga sektori i qarkullimit rrugor të Qarkut Fier, është bërë prezent nga vetë kreu i saj, Lulëzim Nelaj. "Ne kemi marrë masa për të përballuar fluksin e lëvizjes dhe automjeteve gjatë festave të fundvitit duke nisur që sot. Bashkëpunimi me sektorin e rendit do të jetë i ngushtë për të ulur nivelin e kriminalitetit dhe për të vënë në pranga të kërkuarit që do të tentojnë të kalojnë në territorin e Fierit", ka thënë shefi i qarkullimit rrugor për Qarkun e Fierit, Lulëzim Nelaj. Ndërkohë, kujtojmë se për të disiplinuar qarkullimin rrugor këtë vit policia rrugore ka vendosur të jetë e ashpër me thyesit e rregullave, kryesisht për ata që thyejnë rregullat e shpejtësisë. Pikërisht për tejkalim shpejtësie një muaj më parë u penalizuan 60 drejtues automjetesh.

M. Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›