E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshqet toka, në rrezik shembjeje dy shtëpi

Kushtet e këqija të motit kanë shkaktuar rrëshqitje toke në fshatin Dragu të Komunës Fushë-Bulqizë. Si pasojë, të paktën dy shtëpi të fisit Lami nga ky fshat rrezikojnë të shemben. Rrëshqitja e tokës ka ndodhur para tri ditëve dhe ka sjellë shembjen e murit rrethues të njërës prej këtyre shtëpive, në një gjatësi prej rreth 40 metrash, si dhe është dëmtuar linja e ujësjellësit. Banorët e dy familjeve janë të frikësuar dhe bëjnë apel për ndihmë. "Kanë qenë orët e para të ditës së diel, pak pas mesnate, kur jemi ngritur nga gjumi të tmerruar, pasi dëgjuam një zhurmë të fortë, e cila kishte ardhur si rezultat i shembjes së murit rrethues të shtëpisë. Kam shkuar në komunë, ku kam kërkuar një grup specialistësh, për të përcaktuar nëse shtëpia përbën rrezik për të banuar në të apo jo", thotë Hasan Lami, kryefamiljar i njërës nga shtëpitë e rrezikuara. Ndërkohë, banorët e dy familjeve, në mungesë të ardhjes së grupit të specialistëve, po i ngrysin ditët nën tmerrin e frikës se shtëpitë mund të shemben dhe t‘i zënë brenda.

Hy.Di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›