Ktheheshin nga dasma, 2 të vdekur dhe 3 të plagosur nga një familje
FIER- Dy të vdekur dhe tre të plagosur rëndë, mes të cilëve edhe fëmijë, është bilanci i një aksidenti të rëndë që ndodhi dje në aksin Ballsh-Fier. Viktimat mësohet se janë anëtarë të një familjeje dhe ktheheshin nga një dasmë. Burime të Policisë bënë të ditur se Kudret Kalemi, 33 vjeç, drejtues i mjetit si dhe nusja e vëllait të tij, Adela Kalemi, 26 vjeçe, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa të plagosurit janë bashkëshortja e viktimës, si dhe dy fëmijët e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 në vendin e quajtur Patos, fshat ku edhe banonin viktimat, afër një pike karburanti. Të gjashtë personat e përfshirë në aksident udhëtonin me një mjet tip “Benz”, 240 me targë FR 0027 D. Pasi kanë lënë rrugën dytësore të një fshati ku kanë qenë në dasmë, aks që të nxjerr në aksin kombëtar Ballsh-Fier, automjeti që dyshohet se ka qenë me shpejtësi është përplasur me bordurën anash rrugës. Për pasojë, mjeti është shkatërruar plotësisht, ndërsa drejtuesi i saj dhe pasagjerët pësuan plagë të rënda. Policia bëri të ditur se 33-vjeçari Kalemi dhe kunata e tij kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa të plagosur rëndë kanë mbetur gruaja bashkë me dy fëmijët e tij. Kalimtarë dhe mjete të rastit janë munduar t’u japin ndihmën e parë, ndërsa është sinjalizuar edhe policia. Kjo e fundit mbërriti në vendin e ngjarjes dhe konfirmoi vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve, që të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje. Të plagosurit u dërguan menjëherë në spitalin e Fierit, por sipas mjekëve që asistuan në ndihmën e parë ndaj tyre, gjendja e të plagosurve është mjaft e rëndë dhe bilanci i viktimave mund të rritet. Një grup i ekspertëve nisi hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit të rëndë. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë shpejtësia e madhe e automjetit. m.r