E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laço: Vota ime për Çekun dhe prishja me Berishën

Teodoro Laço

Teodor Laço është një politikan shkrimtar dhe nga shkrimtaria nuk mund të mos merrte thelbin e saj, të qenët i ndershëm me veten. Në librin e tij me kujtime, të botuar nga shtëpia botuese Tirana Times, Bashkëjetesë me kohën, Laço kërkon të jetë i ndershëm si atëherë kur shkruan për jetën e tij, për letërsinë, por edhe për politikën. Ka qenë jo thjesht dëshmitar pasiv, por një lojtar në arenën politike gjatë një periudhe të ngjeshur me ngjarje të mëdha, në shumicën e herëve më shumë se të trishtuara, tragjike. Siç ishin ngjarjet e viteve 96, 97, 98 e më vonë në vitin 2004 me mbytjen e një tjetër anijeje me refugjatë klandestinë, në përpjekje për tu hedhur në bregun matanë. Ishte koha kur në pushtet erdhi Partia Socialiste me qeverinë Nano. Në kujtimet e tij, Laço tregon se cila ishte atmosfera që mbizotëronte në atë kohë dhe si lindi lëvizja opozitare Nano, ik!.

KOHA E RROTACIONIT MË E AFËRT SE KURRË (2004) Viti 2004 nisi rrugëtimin e tij me një tragjedi që e përshkoi tërë shoqërinë si një goditje rrufeje. Më 9 janar, një anije që çonte klandestinë në Itali, u mbyt në brigjet e Karaburunit. Ndryshe nga tragjedia e 28 marsit 1997, këtë herë tragjedia ndodhi afër brigjeve tona, u paralajmërua nga ekuipazhi e, megjithatë, ndihma vajti me vonesë, duke lënë në fund të detit Jon 21 viktima. Më 15 janar, në Kuvend u zhvillua një seancë e jashtëzakonshme debati. Shpirtërisht, seanca ishte një vazhdim i një gjendjeje të përzishme për gjithë kombin. Shprehja që u dëgjua më shpesh ato ditë, fillonte me fjalët: bashkohemi me dhimbjen…. Nëse kjo shprehje është normale për njeriun e zakonshëm, për ata që merren me politikë dhe atyre që e bëjnë politikën (sepse të merresh e të bësh nuk është e njëjta gjë), kjo shprehje nuk mjafton. Sepse klasa politike, fytyra e së cilës është për të ardhur keq, duhet të bëhet e vetëdijshme se ka përgjegjësi për shumëçka ndodh në këtë vend dhe, aq më tepër, ngjarje si kjo. Pa peshën e përgjegjësisë, ngushëllimet e politikanëve tingëllojnë hipokrite. Kur vdekja është e dhunshme, e tillë si ajo e 9 janarit, dhimbja të troket vazhdimisht në ndërgjegje dhe pyetja përse shkon deri te një mendim i ngulët. Në historinë e tranzicionit tonë ka shumë ngjarje të errëta, të cilat i njohin më mirë ata që i kanë vuajtur vetë, por pa dyshim, njolla më e zezë e kohës e ka emrin TRAFIK. Kjo fjalë te ne e ka humbur kuptimin e saj sistematik dhe ashtu, si fjala e antikitetit tragjedi, që dikur kishte pasur kuptimin e lojërave me flijime kafshësh, te ne është sinonim me kuptimin bashkëkohor të tragjedisë. Trafik klandestinësh, vendës dhe të huaj. Trafik fëmijësh për lypës e për marrje organesh, trafik droge: kanabis, heroinë, kokainë. Trafik për tendera…

(Me shume lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›