Treni i pasagjerëve shtyp të moshuarin
Një i moshuar është shtypur nga treni i pasagjerëve të linjës Pogradec-Elbasan, ndërkohë që deri mbrëmjen vonë ka qenë i paidentifikuar nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:55 minuta të së martës, në unazën jugore të qytetit të Elbasanit, ndërsa treni po i afrohej stacionit hekurudhor për ndalesën e radhës. Burimet nga vendi i ngjarjes konfirmojnë se treni gjatë aksidentit ka qenë me një shpejtësi normale dhe, me gjithë përpjekjet e makinistit për ta shmangur përplasjen me të moshuarin, ka qenë e pamundur. Paraprakisht grupi hetimor që ka mbërritur shpejt në vendngjarje, ka konstatuar se i moshuari, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, duhet t’i ketë dalë përpara trenit ndërkohë që ai ishte në lëvizje. Sipas burimeve policore, viktima mund të jetë rreth 70 vjeç dhe po punohet për identitetin e tij. Trenisti është shoqëruar nga policia deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, për t’u lejuar pas rreth dy orësh dhe më pas treni ka vazhduar linjën e tij të udhëtimit drejt Durrësit.
#