E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet për të pushuar, përfundon në qeli i superkërkuari

Autori i Lajmit: red.
Është kthyer në Shqipëri për të kaluar pushimet e verës, por ka përfunduar në prangat e policisë, pasi ishte një ndër më të kërkuarit nga drejtësia shqiptare. Miljan Buzi nga Tirana, i cili fshihej në Greqi, është kthyer dje për në vendlindje, por nuk ka mundur t i shpëtojë arrestimit. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia prej 12 vjetësh. Mesditën e djeshme, në orën 13.00, Miljan Buzi, përkrah emigrantëve të tjerë, sigurisht në pamje të parë, pa u kuptuar se është një person shumë i kërkuar, është gjendur në pikën e kalimit të kontrollit kufitar Kakavijë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se Miljan Buzi vinte nga Greqia për në Shqipëri dhe në hyrje të territorit shqiptar, në Kakavijë, është kapur nga shërbimet e policisë kufitare. Policia konfirmoi zyrtarisht se Miljan Selfo Buzi, 28 vjeç, lindur në fshatin Petovë, Fier dhe banues në Kombinat, Tiranë, rezultonte në kërkim.
“Buzi është i shpallur në kërkim më datën 26 shkurt 2009, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë, Nr 322, datë 21 tetor 2008, e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, - detajoi policia. Sipas policisë, më 22 shkurt 1997, në fshatin Petovë të rrethit Fier, Buzi, atëherë vetëm 16-vjeçar, ka vrarë me thikë 19-vjeçarin M.L, po nga fshati Petovë. Nga hetimi doli dhe shkaku i vrasjes: viktima M.L, kishte rrahur vëllanë e Miljan Buzit, për motive të dobëta dhe për këtë Miljani nuk ia kurseu jetën dhe e vrau me thikë 19-vjeçarin. Pas ngjarjes, adoleshenti ra në qeli, por është larguar nga burgu në vitin 1997, pas trazirave që ndodhën dhe kur shteti dorëzoi kontrollin mbi vendet e izolimit. Megjithatë, shtatë vjet më vonë, në vitin 2004, Miljan Buzi është arrestuar sërish dhe ka kryer 2 vjet e 6 muaj burg. Menjëherë më pas, ai është liruar nga gjykata e rrethit Fier. Por Gjykata e Apelit Vlorë ka marrë vendim të formës së prerë duke e dënuar Miljan Buzin, me 8 vjet burg.
Policia tha se veprimet e mëtejshme me Buzin do t i kryejë Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ku dhe do të transferohet i ndaluari në kufi.
Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›