Kthehet piktori i ngjyrave
Në Kanadanë e largët ka gjetur veten. Ka gjetur mbi të gjitha frymëzimin. Natyra e papërsëritshme e "vendit ku pemët qëndrojnë mbi ujë" janë bërë njësh me ato të tablove, por edhe me personalitetin e tij. Aty ka gjetur të kuqen, portokallinë, të verdhën, kafen, okrën... por ka gjetur edhe veten. Kur e pyet për marrëdhënien me pikturën, atëherë nis të flasë për familjen, kështu e zbërthen ai këtë lidhje. Thotë se familja e tij vjen nga thellësitë e jugut nga ku u zhvendos në kalanë e Beratit, për të kaluar më pas në kishën e Ardenicës, e më pas në një tjetër kishë në Apoloni. Gjyshi ishte prift, ndërsa xhaxhai pikturonte ikona. I kujtohet sa shpesh e merrte me vete në studion e tij në Apoloni. Dhe aty trupi prej fëmije në shumë raste kthehej në një ylber të vërtetë. Ai rendte drejt ngjyrave. Nisi kështu dashuria për pikturën, prej së cilës nuk hoqi dorë asnjëherë. Atëherë, ashtu si edhe sot, ajo është në qendër të vëmendjes, është gjithçka. Pasion i rrëmbyer, net pa gjumë... e përsosur është. Pas një përvoje të nisur në Shqipëri ku nuk mungojnë pjesëmarrjet në disa ekspozita, (e fundit në vitin 1987) piktori fierak Dhimitër Prifti u largua nga Shqipëria në fillim të viteve ‘90. Fillimisht në Greqi, më pas në Kanada. Jeta e një artisti në mërgim ka vështirësitë e saj, njësoj si edhe e shumë të tjerëve, por me një ndryshim. Ai, artin e tij, nuk e la kurrë pas dore. Në Toronto, qytetin ku jeton, mësoi së pari rrugën e galerive. Çdo ditë kalonte andej, për të njohur nga afër artistët dhe punët e tyre derisa një ditë pa të shkruar diku një lajmërim: "Ekspozitë e përbashkët e artistëve... Hapet së shpejti!". Guxoi. Kaloi pragun, prezantoi veten, punët dhe kërkoi të ishte pjesë e saj. Përse jo fundja? Jo vetëm që u pranua, por gjatë një jave që ekspozita qëndroi e hapur, ai shiti katër piktura. Zonja që i bleu, kërkoi që ai t‘i realizonte edhe një portret. Për pak ditë ishte gati. Ajo erdhi dhe e mori në vendin ku ai punonte, në një garazh ku lyente makinat. Pa dijeninë e tij, zonja i tha pronarit se ai, shqiptari, është piktor. Dhe nuk ndodhi ashtu si Dhimitri pati frikë, nuk e pushoi nga puna. Si në një përrallë të bukur, e priti me një buzëqeshje të madhe dhe i tha: që sot ti nuk do të punosh më këtu. Do të kesh studion tënde për të pikturuar. Një ëndërr që kthehet në realitet. Nisi të merrej sërish me atë çka dinte të bënte më mirë, të pikturonte. Jeta nisi një tjetër drejtim. Pak nga pak, dashamirësi i tij i parë çeli edhe një galeri pikërisht në rrugën e të cilën e vizitonte me ëndje kur sapo kish mbërritur në Kanada. Më pas u çel edhe një tjetër, në një tjetër rrugë. Punët e piktorit shqiptar, Dhimitër Prifti, nisën të ekspozoheshin në galerinë e arteve "Galaxy Fine Art". Nisi të bëhet i njohur. Punët ekstra i sollën edhe ofertën për të marrë pjesë si piktor në filmin me titull "In Between", ku interpretonte aktori i njohur shqiptar Tomi Flloko. Një ditë, regjisori Fatmir Doga, i foli aktorit për piktorin shqiptar dhe të dy vizituan studion e tij. "Ktheva kokën për një çast dhe pashë aktorin e madh të skenës shqiptare që duarkryq vëzhgonte punët e mia. U afrua dhe më shtrëngoi dorën. Nuk më besohej. Prej asaj kohe, nisi miqësia mes nesh", tregon piktori. Edhe kritika nisi të vlerësojë punët e tij, vizitorët dhe blerësit gjithashtu. Ngjyrat, ato po në plan të parë. Bien në sy pikturat e tij pikërisht për ngjyrat, por edhe për peizazhet e shumta që vijnë jo vetëm nga Kanadaja, por edhe nga Shqipëria. Rryma që ndjek, impresionizmi, e veçon ndërkaq ndër të tjerë. Edhe "një Van Gogh të dytë e kanë cilësuar". E jo më kot. Ndihet mirë me këtë rrymë dhe aty sigurisht që do të qëndrojë. Suksesi në Kanada megjithatë, kishte diçka mangët. Një mbështetje Shqipërie. Ekspozitat e shumta, të çelura në Greqi, Toronto e gjetkë, nuk e bënin të plotë arritjen e tij në pikturë. Ndaj u ndal një çast dhe vendosi: "Duhet edhe një paraqitje para publikut shqiptar. Të kthehem në vendin tim dhe të çel aty një ekspozitë! Të njihem edhe aty, po aq sa edhe përtej kufijve". Dhe u kthye me të vërtetë. Këto ditë, piktori Dhimitër Prifti gjendet në Tiranë. Do të çeli në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur nga data 6 deri në 12 tetor. Emocionet nuk i fsheh. Nuk ka sesi. Kthehet pas 12 vitesh dhe pas 22 të tjerash çel një ekspozitë personale. E fundit, i takon vitit 1987 të cilën e ka çelur në teatrin "Bylis" të Fierit. Do të sjellë rreth 45 punime, të cilat i përkasin dhjetëvjeçarit të fundit. I ka mbledhur mes gjithë punimeve dhe i ka ruajtur. Kushedi, këtë ekspozitë e projektonte prej shumë kohësh. Sytë se ç‘i marrin një shkëlqim ndryshe. Dhe thuajse mbetet pa fjalë. E ka pritur mjaft këtë ditë. Ai, i njohur në Toronto dhe i panjohur në vendin e tij, pret të kalojë si në një provim të parë. Me ngjyrat e ngrohta dëshiron të bëjë për vete publikun shqiptar, do të godasë në shenjë dhe nuk do të ndalet me kaq. "Jam 56 vjeç, - thotë, dhe nëse gjithçka shkon mirë, 60-vjetorin dua të festoj në Shqipëri, me një tjetër ekspozitë, por kësaj here do të doja shumë që të hapej në Galerinë Kombëtare të Arteve". Ai shpreson shumë, por edhe punon shumë ndërkaq. Pasi të lërë Shqipërinë, e presin të tjera punë e projekte. Një ekspozitë në Australi e një tjetër në Japoni do të paraqesin ngjyrat e Priftit nga njëri kënd i botës në tjetrin. Pas disa vitesh, ndoshta i kthehen edhe një herë Shqipërisë.