E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo nuk gabon në Laç, e vetme në krye të Superiores

Dinamo funksionon edhe pa Elis Bakajn. Pavarësisht mungesës së lojtarit më në formë të momentit (mesfushori i Kombëtares është dëmtuar në kavilje), blutë bëjnë "formalitetin" në fushën e Laçit. Falë fitores minimale 1:0, skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça merr tri pikë mjaft të rëndësishme në javën e gjashtë të Superiores. Vendimtar ishte goli i realizuar nga argjentinasi Malakarne: në të 55-tën, mbrojtësi përshëndeti rrjetën e portës së mbrojtur nga Llani, një avantazh të cilin blutë e administruan deri në fund. Avantazhi është ruajtur me lehtësi edhe për faktin sepse si ndodh shpesh në ndeshjet jashtë fushe, trajneri dinamovit ka preferuar të luajë me një formacion më difensiv, ku Sefa ka qenë sulmues i vetëm, ndërsa Plaku u aktivizua vetëm në minutat e fundit. Ky ishte goli i dytë për Malakarnen në këtë sezon, ndërkohë që skuadra kryeqytetase tashmë është e vetme në kreun e klasifikimit. Duke përfituar nga "frenimi" i Besës në fushën e Gramozit, Dinamo shkëputet dy pikë përpara në kampionat (deri më tani skuadrat kishin ecuri me të njëjtin ritëm, me 4 fitore dhe një barazim). Në anën tjetër, kjo ishte disfata e parë në shtëpi për Laçin. Skuadra e drejtuar nga Stavri Nica ka tentuar të mos dalë pa pikë, por në fund është dorëzuar përpara publikut të saj, duke regjistruar humbjen e tretë në gjashtë ndeshjet e para të kampionatit.

Fitore e lehtë për Shkumbinin. Peqinasit, pavarësisht mungesës së trajnerit Kristaq Mile në stol (i pezulluar) mposhtën 4:1 Teutën. Pasi fituan me Flamurtari dhe Vllazninë, duke shkaktuar largimet e trajnerëve Memushi dhe Magani, durrsakët nuk kanë bërë asnjë rezistencë në Peqin. Golat e vendasve janë shënuar të gjithë në 45 minutat e para të lojës, duke mbyllur virtualisht ndeshjen. Rezultati u zhbllokua në të 5-ën, me Çaushajn që ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Dervishi. Shtatë minuta më pas është pikërisht Dervishi ai që thyen portierin Vashaku. Të besuarit e Josës vuajnë të dalin në lojën e tyre, shkak ishte edhe terreni jo i mirë, por përpara pushimit mes pjesëve marrin dy goditje të tjera. Në minutën e 42-të Mustafaj trefishon rezultatin, ndërsa në sekondat e para të kohës shtesë Çaushaj realizon edhe golin e katërt. I pamjaftueshëm reagimi i Teutës me Hysën, i cili shënoi golin e nderit për të tijtë, kur kronometri tregonte 71 minuta lojë.

Sot në Vlorë luhet sfida Flamurtari-Vllaznia. Gugash Magani luan për herë të parë në sytë e tifozerisë kuqezi, ndërsa në anën tjetër, Roland Luçi debuton në Superiore, vetëm pak ditë pasi zëvendësoi Hasan Likën. Flamurtari kërkon fitoren e parë në shtëpi, në këto javë të para të kampionatit. Për sa i takon Vllaznisë, kuqeblutë jo vetëm që nuk kanë triumfuar jashtë "Loro Boriçit", por ata nuk kanë arritur të shënojnë asnjëherë jashtë fushe. Takimi tjetër është ai në Korçë, ndërmjet Skënderbeut dhe Apolonisë.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›