Ktheni kokën! Po luan Grifsha
Flokë të kuqe, të çrregullta, tualet të errët dhe një kitarë në dorë që lëshon tinguj në bordurën e Liceut Artistik në Tiranë. Jemi pranë një grupi adoleshentësh artistë. Shquhet një vajzë mes bashkëmoshatarëve, melodinë që ajo nxjerr e shoqërojnë me zë miqtë që e rrethojnë duke realizuar një minikoncert. Keisi Katiaj është nxënëse në vitin e dytë për pikturë në liceun Jordan Misja në kryeqytet. Edhe pse piktura është specialiteti për të cilin studion, muzika është pasioni i saj.
Luan në piano, kitarë dhe… bateri. Nëse për dy instrumentet e parë është e zakonshme, bateria konsiderohet si pronë e meshkujve. Keisi e ka thyer këtë rregull dhe i është vënë baterisë me mish e shpirt. Ka më shumë se një vit që merr mësime private për këtë vegël muzikor. Në fillim tregon se ka qenë pak e ngurtë, edhe pse e kishte pasion, por duket sikur është joshur pa masë nga tingulli që nxjerr, saqë tashmë është bërë njësh me të.
Ndërsa e shohim personazhin tonë të luajë në bateri, aty e kupton entuziazmin që i përcjell përplasja e shkopinjve, vallëzimi i tyre në gishtat e Keisit e derisa lëshohen furishëm mbi bateri. Kur jam në këtë pozicion, harroj gjithçka, tregon Katiaj.
Një bateri-lodër e dhuruar në vitet e para të fëmijërisë do ta bënte Keisin që ti rikthehej në moshën 13-vjeçare pasionit të ngacmuar, por për të rritur tashmë. Iu nënshtrua një kursi privat për një vit e gjysmë. Për një vit ka filluar angazhimi intensiv me këtë vegël muzikore, ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, koncerte. Madje, ka krijuar edhe një grup me emrin Grifshat, pjesëtare e të cilit janë edhe tre vajza të tjera: Katerina Klosi në piano, Semi Jaupaj në vokal, Ina Havaraj në bas. Këngët që ato përformojnë janë kryesisht rok, komerciale, por edhe këngët e tyre. 16-vjeçarja së bashku me mikeshat e saj marrin pjesë edhe në jetën e natës ku këndojnë, luajnë në lokale të ndryshme në kryeqytet. Nata e parë live është realizuar me ndihmën e këngëtarit Bojken Lako, i cili është bërë edhe kumbari i formimit të këtij grupi.
Nëse kur jam e qetë, marr penelin e pikturoj, bateria është ana tjetër e gjendjes sime emocionale, më bën të harroj. Por, pikturoj gjithmonë me një muzikë në sfond.
Konkurron me djemtë? Sigurisht që po! Ka disa djem me të cilët konkurroj dhe them me bindje që jam me e mirë se ata, tregon Keisi, por e pranon që ka dhe të tjerë me të cilët nuk krahasohet, pasi djemtë kanë më shumë fuqi. Në jetën e natës ajo mund të përballojë deri në dhjetë këngë pa problem. Muzika që ato luajnë, janë më të dëgjuarat dhe të pëlqyerat për adoleshentët, si Ledi Gaga me këngën You and I dhe Bad Romance, një nga të preferuarat e grupit është dhe këngëtarja Xhesi Xhei me këngët e saj, një tjetër këngë e parapëlqyer është ajo e Adele Set fire to the rain. Ajo premton se do të vazhdojë ti bëjë të gjithë të kthejnë kokën kur luan në bateri, siç edhe ka bërë deri më sot. E konsideron veten të veçantë dhe do që të mbetet e tillë.
Me kitarë në dorë
Lokalet e bllokut dhe aktivitet muzikore nuk janë të vetmet argëtime të adoleshentes. Së bashku me miqtë e saj, të cilët i bashkon dashuria për artin e për muzikën mbi të gjitha, zgjedhin alternativa nga më të veçantat për të kaluar një fundjavë interesante. Keisi na tregon se shpesh marrin kitarat dhe mblidhen së bashku nga kodrat e liqenit, në hapësira ku nuk ka shumë njerëz dhe është vend i hapur, ose te parku Rinia. Njerëzit i shohin me habi, pasi janë të rrallë ata që zgjedhin argëtime të tilla.
Dhoma e Keisit
Dhoma e saj personale është më shumë një studio ku është vendosur kitara dhe bateria. Pianoja për shkak të hapësirës, gjendet në dhomën e ndenjies. Në të ka edhe telajo, bojëra, të mbyllura e gjysmë të hapura, furça të lëna përgjysmë që presin të merren përsëri nga dora e piktores… Kjo është dhoma e një artisteje, ku herë pushtohet nga zhurma e baterisë dhe herë nga qetësia që përcjell piktura. Familja e ka mbështetur, edhe pse prindërit e saj nuk kanë lidhje me artin. Ajo ka një vëlla i cili edhe ai është futur në kurs për piano, ashtu si Keisi shtatë vite më parë. Muzika që dëgjon 16-vjeçarja për momentin është ajo elektronike, ndërsa një pasion tjetër i veçantë për të është fotografia. Mund të kaloj orë të tëra para kompjuterit duke punuar foto, thotë Keisi.
Adoleshenca
Keisi, çfarë mund të të nervozojë?
Shkolla, konfliktet me prindërit.
Një vajzë në moshën tënde për çfarë përplaset me prindërit?
Shkollën e rezultatet në të, gjithmonë prindërit presin më shumë, duan gjithmonë të jesh e para, por edhe për daljet në mbrëmje. Më thonë: merru më shumë me shkollën, se këtë e kë për qejf nuk e ke për një të ardhme të largët. Por, për sa i përket muzikës, më kanë mbështetur. Që të vogël më kanë futur në rrugën e muzikës, e kanë me dëshirë që unë merrem me art.
Nga çfarë kanë frikë ata?
Si të gjithë prindërit: cigarja, alkooli. Kujdes këtu, atje.
Je vajzë blloku?
Kohën e lirë e kaloj në baret e lokalet në atë zonë, pasi shumica janë në bllok.
Sa mendon që do ta vazhdosh baterinë në të ardhmen?
Më shumë mendoj se është periudha e adoleshencës. Nuk e di se si do të shkojë, por tani për tani merrem, e kam pasion, ndihem mirë.
Vëzhgim
Në rrugën e liceut
Zëra të kthjellët, të freskët dhe të rinj të shkujdesur që këndojnë, kore që performojnë në anë të bordurës, kitara që nxjerrin melodi, të tjerë në firzamonikë, ekspozitë me portrete dhe peizazhe… Kjo është panorama që të fal çdo ditë rruga e liceut artistik “Jordan Misja” në kryeqytet. Sy të nxirë nga lapsi dhe flokë tërësisht pa formë, gjysma dorashkash të zeza, pantallona super të gjera dhe një fjalor që deshifrohet vetëm mes artistëve adoleshentë. Janë të rinj të metropolit të vitit 2011. Në mungesë të hapësirave të tjera, bordura është vendi më i mirë dhe pas pak minutash rrugica kthehet në një skenë dhe ekspozitë të hapur. E të gjithë që kalojnë aty, në mos do të qeshin patjetër, e venë buzën në gaz. Këngët janë nga më të ndryshmet, por ato që i ngjisin më shumë, janë ato të para viteve 90. Ndoshta përformime të tilla në rrugë nuk do ti ndërronin as me skenat e mëdha. Është kjo formë që një ditë do ti bëjë të kujtojnë se e mbanim gjallë rrugën e Liceut.
Këtu nuk është e nevojshme që të blesh një biletë. As të mundohesh që të zësh një vend në radhët e para. Mjafton ecja në “rrugën e artit”. Ajo nis nga RTSH-ja e përfundon te Liceu Artistik “Jordan Misja”. Orët e pikut janë ato të paradites, kur edhe e lë robi ndonjë orë mësim se nuk bëhet qameti. Sot janë nxënës që performojnë live. Ndoshta nesër mund të bëhen të famshëm. Këndojnë të shkujdesur, mes kësaj rrugice, duke dhënë minishfaqje falas për të gjithë kalimtarët e rastësishëm. Kitara apo firzamonika janë instrumentet më të preferuara: “E bëjmë për argëtim. Na vjen mirë kur marrim komplimente nga kalimtarët apo kur na dhurojnë një buzëqeshje. Kjo është një gjë që na shpërthen nga brenda dhe e realizojmë, duke performuar edhe në mes të kësaj rrugice. Nuk na bën përshtypje që jemi në mes të rrugës… Kjo është thjesht si të na vijë.
