Kthim në identitet, emigrantët shqiptarizojnë emrat pas 10 vjetësh
Kthim në identitet, emigrantët shqiptarizojnë emrat pas 10 vjetësh
Emigrantët kërkojnë emrat që kanë pasur
Gjashtë raste vetëm në komunën e Ksamilit
Ksamil
Kanë preferuar të thirren Jorgo apo Jani për një kohë të gjatë, madje duke ndryshuar edhe emrat në Gjendjen Civile, por dhjetë vjet më pas, emigrantët tanë në shtetin fqinj duket se kanë kthyer kokën pas. Shenjat e para vijnë nga komuna e Ksamilit, ku kthimi në identitet ka bërë që tashmë banorët, ndonëse ende emigrantë në Greqi, të ndryshojnë përsëri emrat në Gjendjen Civile në Jorgaq apo Janaq.
Një gjë e tillë është konfirmuar një ditë më parë nga zyra e Gjendjes Civile e komunës së Ksamilit në Sarandë, ku mësohet se tashmë janë ndryshuar rolet.
Sipas të dhënave, vetëm gjatë javës që shkoi e deri dje, në këtë zyrë janë paraqitur gjashtë persona, banorë të kësaj komune, të cilët kanë kërkuar të fillojnë procedurat për të ndryshuar emrin aktual në atë origjinal që kanë pasur përpara se ata të emigronin në shtetin grek. Edhe pse përfaqësuesit rajonalë të zyrës civile nuk kanë preferuar të përmendin emra konkretë, ata shprehen se procedurat e gjashtë rasteve të paraqitura do të përfundojnë brenda shtatë ditëve, afati maksimal për një veprim të tillë.
Po kështu, sipas zyrës civile të komunës së Ksamilit kërkesat sa vijnë e janë në rritje dhe se ata që bëjnë aplikimet për ndryshimin e emrave, kërkojnë që t'u mundësohet korrigjimi i ndryshimeve të bëra vite më parë.
Aktualisht, komuna e Ksamilit ka rreth 10 mijë banorë, ku sipas të dhënave zyrtare, rezulton të kenë ndryshuar identitetin pas vitit 1994, 5% e popullsisë. Procedurat për kthimin e emrit në identitet kryhen brenda një jave nga paraqitja e kërkesës te punonjësi i Gjendjes Civile.
Fenomeni më i ri në jugun e vendit vjen pas skandalit të ndryshimit e të paktën
30 emrave të personave në listën e guidës turistike të Qeparoit. Kanë qenë tre prej këtyre banorëve, duke përfshirë këtu edhe kryeplakun Kokëdhima, të cilët shprehën indinjatën e tyre të thellë për greqizimin e emrave pa dijeninë e tyre duke kërkuar kështu drejtësi për këtë veprim arbitrar. Gjithçka u zbulua në 10 faqet e fundit të guidës turistike, në faqen zyrtare të Bashkisë së Himarës ku emrat e banorëve të Qeparoit ishin greqizuar. Mes listës së këtyre personave ndodheshin edhe mbiemra të njohur shqiptarë që janë transformuar pasi u është shtuar germa “s” në fund. Ndër këta mund përmenden mbiemra si Vogli, Kokëdhima, Bufi, Gjika, Marko, në Voglis, Kokëdhimas, Bufis, Gjikas e Markos.