E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Do krijoj një institucion, që do të jetë Studioja Ligjore më e mirë në Shqipëri



Avokati i Shtetit parashikon reformë të thellë në institucion

Avokati i Shtetit: Do mbledh konsulentët më të mirë ligjorë, në mbrojtje të shtetit

Eduard Halimi, ish-zv.ministër i Drejtësisë, emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit. Ky ndryshim u propozua nga Kryeministri Sali Berisha, duke e parë figurën e Halimit si më të përshtatshmen për të drejtuar një institucion kaq të rëndësishëm, siç është Avokatura e Shtetit. I kontaktuar pas emërimit nga gazeta “standard”, Avokati i Shtetit shprehet se ka pikësynim të krijojë një institucion që të jetë Studioja Ligjore më e mirë në vend. Gjithashtu, kreu i ri i Avokaturës së Shtetit flet edhe për një reformë të rëndësishme në këtë institucion dhe krijimin e një stafi me konsulentët më të mirë ligjorë në mbrojtje të shtetit, me qëllim fitimin e të gjitha betejave gjyqësore në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Z. Halimi, nga sot ju nuk do të jeni më zv.ministër i Drejtësisë, por Avokat i Shtetit, si e pritët këtë ndryshim?

Përfundova me sukses një fazë shumë të rëndësishme të kontributit tim brenda Ministrisë së Drejtësisë për një kohë rreth 3-vjeçare. Një detyrë, e cila nuk mund të ishte e suksesshme pa ndihmën e Kryeministrit dhe ministrave të Drejtësisë, me të cilët kemi drejtuar këtë ministri këto vite. U çmua si e domosdoshme që në forcimin e shtetit ligjor, që Avokatura e Shtetit të merrte një dimension të ri, duke rritur performancën e saj dhe duke u bërë një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Unë falënderoj thellësisht Kryeministrin për vlerësimin që bëri, duke më emëruar në krye të këtij institucioni, i cili do të zërë një vend shumë të rëndësishëm në jetën e qeverisë.

Emërimi juaj në këtë detyrë ishte një propozim i Kryeministrit, a kishit biseduar më parë dhe u ishte propozuar një lëvizje e tillë?

Po, ne kemi biseduar për këtë çështje me Kryeministrin kohë më parë, por emërimi u bë i domosdoshëm tani, kur pritet të bëhet një reformë e thellë në këtë institucion. Çështja e emërimit ka qenë një diskutim i mëparshëm mes meje dhe Kryeministrit, por gjetja e zëvendësuesit e shtyu pak kohën e emërimit tim në këtë detyrë të rëndësishme.

Të kthehemi për një moment në funksionin që keni pasur si zv.ministër. Ju keni qenë para disa kohësh në Greqi dhe keni biseduar për një marrëveshje mbi ekstradimet mes dy shteteve. A ka filluar në Ministrinë e Drejtësisë përpilimi i kësaj marrëveshjeje?

Kur unë shkova në Greqi së bashku me ekspertët e mi, ne e kishim gati draftin e kësaj marrëveshjeje në dy gjuhë, anglisht dhe greqisht. Unë ua dorëzova autoriteteve greke, të cilët kërkuan kohë për ta shqyrtuar atë deri në fillim të muajit shtator. Ne presim prej tyre tani vërejtjet që mund të kenë.

Ju vini nga radhët e avokatisë, ndërkohë që në pozicionin e zv.ministrit të Drejtësisë mësohet të keni qenë një nga hartuesit e Ligjit për Avokatinë e Shtetit. ǒmund të na thoni më tepër rreth këtij fakti? Në rolin e Avokatit të Shtetit, çfarë mendoni se do sillni ndryshe nga kolegët tuaj të mëparshëm? Mendoni se edhe Avokatura e Shtetit ka nevojë për ndryshime apo plotësime?

Po u përgjigjem bashkë të tria pyetjeve. Kjo detyrë për mua është një sfidë personale dhe profesionale, për të cilën jam i bindur plotësisht se do ta kaloj me sukses. Avokatia është pasioni im i pashtershëm dhe këtë e dinë të gjithë ata që më njohin. Kjo është ajo që unë kërkoja në të vërtetë. Unë shkoj në këtë detyrë për të kryer një reformë të thellë dhe për të krijuar një institucion, i cili të jetë institucioni më profesional në Shqipëri. Një institucion, i cili do të këshillojë qeverinë në çdo moment të jetës së saj dhe do të mbrojë interesat e shtetit para të gjithë institucioneve vendase dhe ndërkombëtare.

Dy janë shtyllat konsultative të një shteti, Financat dhe Ligji.

Unë do krijoj një institucion që do të jetë Studioja Ligjore më e mirë në Shqipëri. Sfida ime është që t’i ofroj shtetit stafin më të mirë në vend për konsulentë ligjorë, të krijoj studion më të mirë ligjore në vend, studio ligjore, e cila jo vetëm do të jetë konsulentja më e mirë për çdo ministri, por dhe do të fitojë të gjitha betejat gjyqësore në vend dhe në gjykatat ndërkombëtare. Nëse e arrij këtë synim me mbështetjen e plotë që kam marrë nga Kryeministri dhe faktorët ndërkombëtarë që kujdesen për këtë institucion (Ambasada e Spanjës), atëherë mund të them se sfida ime është plotësuar.

Somario

“Unë shkoj në këtë detyrë për të kryer një reformë të thellë dhe për të krijuar një institucion, i cili të jetë institucioni më profesional në Shqipëri. Një institucion, i cili do të këshillojë qeverinë në çdo moment të jetës së saj dhe do të mbrojë interesat e shtetit para të gjitha institucioneve vendase dhe ndërkombëtare”

“Sfida ime është që t’i ofroj shtetit stafin më të mirë në vend për konsulentë ligjorë, të krijoj studion më të mirë ligjore në vend, studio ligjore e cila jo vetëm do të jetë konsulentja më e mirë për çdo ministri, por dhe do të fitojë të gjitha betejat gjyqësore në vend dhe në gjykatat ndërkombëtare”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›