Ministria e Mbrojtjes: Diverolli e dinte se fishekët ishin kinezë
Lloji i fishekëve, reagon dikasteri i Mbrojtjes
Presidenti i AEY, sot në Kongresin Amerikan
Ndërmarrja MEICO i ka ofruar kompanisë “Evdin ltd” materialet e kërkuara, duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ndërkohë që kompania “AEY inc” ka deklaruar se kontrata e lidhur me ndërmarrjen shqiptare për shitjen e municioneve është ekzekutuar në mënyrë krejt të rregullt.
Një ditë pas deklaratës së avokatit të bosit të “AEY”, Efraim Diverollit, Howard Srebnick, i cili pretendon se klienti i tij është mashtruar nga qeveria shqiptare, duke i shitur atij fishekë të vjetruar kinezë, Ministria jonë e Mbrojtjes deklaron se në këtë mes nuk ka asnjë mashtrim. Përmes një konference për shtyp nga zëdhënësja e këtij dikasteri, Albana Mustafaraj, një ditë më parë, gjithçka konsiderohet si keqinterpretim lidhur me procesin e shitjes së municioneve nga qeveria shqiptare.
Sipas Mustafarajt, në lidhje me procesin e shitjes së municioneve të armëve të lehta midis ndërmarrjes shtetërore shqiptare MEICO dhe kompanisë amerikane “AEY inc” dhe “Evdin lid”, Ministria shqiptare e Mbrojtjes, duke iu referuar dokumentacionit prezent në këtë institucion konstaton se: kompania “AEY inc” dhe “Evdin lid” kanë kërkuar nëpërmjet një shkrese drejtuar MEICO-s municione të kalibrave të vegjël me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi, shoqëruar me dokumentacionin ligjor përkatës.
Po kështu, MB thotë se kompania “Evdin ltd” ka pasur autorizim nga kompania “AEY inc”, e cila nga ana e saj ishte e pajisur me certifikatën e përdoruesit të fundit (end-user certificate). Ndër të tjera, në deklaratë thuhet se ndërmarrja MEICO i ka ofruar kompanisë “Evdin ltd” materialet e kërkuara, duke i prezantuar ndër të tjera edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007. Më pas, Mustafaraj ka pohuar se kontrata e lidhur midis ndërmarrjes MEICO, si shitës dhe kompanisë “Evdin ltd” për “AEY inc”, më datë 18.05.2007 përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në këtë kontratë në artikullin cilësia thuhet se malli shitet ashtu siç është dhe blerësi ka të drejtën e kontrollit dhe provës ndaj tij, duke kryer inspektime.
Ndërkohë që sipas saj, në lejen e eksportit të nxjerrë nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes më datë 20.04.2007, janë specifikuar destinacioni, blerësi, tipat e municioneve që do të eksportoheshin, sasitë e tyre dhe vitet e prodhimit korresponduese. Në përfundim, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes ka bërë me dije se kompania “AEY ltd” më datë 27/11/2007 ka deklaruar se kontrata e lidhur me ndërmarrjen MEICO për shitjen e municioneve është ekzekutuar në mënyrë krejt të rregullt.
Diverolli
Sot mblidhet kongresi amerikan
Trafiku i armëve, aferat dhe mashtrimi 300 milionë dollarësh i 22-vjeçarit Efraim Diverolli, i cili furnizoi forcat e sigurisë afgane me municione kineze të ndaluara nga Pentagoni, dhe që i blinte nga Shqipëria, pritet të diskutohen sot në kongresin amerikan. Sipas mediave amerikane një ditë më parë, mësohet se një komitet hetimor i këtij kongresi do të dëgjojë të martën (sot) në një seancë të posaçme aferat e paligjshme të Efraim Diverollit, që blinte armë të ndaluara nga Shqipëria dhe i shiste në Afganistan. Sipas të dhënave, arsyeja që kongresi heton çështjen “Diverolli” paralelisht me institucionet e drejtësisë amerikane, është se ky rast ka nxjerrë në dritë edhe disa shkelje nga Pentagoni. Presidenti i kompanisë AEY u arrestua të premten në Florida të SHBA-së së bashku me tre persona të tjerë, zv.presidenti i AEY, David Pakouz si dhe Aleksandër Podrizki, i cili përfaqësonte kompaninë AEY në Shqipëri, dhe Ralf Merrill, një partner biznesi i Diverollit në Jutah, që i jepte kompanisë asistencë financiare dhe menaxheriale. Ata akuzohen për mashtrim dhe konspiracion ndaj ushtrisë amerikane, pasi kanë gënjyer për origjinën e armëve, me qëllim përfitimi të paligjshëm.
Kryeprokurorja
Kërkesë kongresit amerikan për dëshminë e Diverollit
Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar dje një letër-kërkesë kongresit amerikan, ku kërkon që Efraim Diverolli të merret në pyetje edhe për çështjen e Gërdecit, për llogari të palës shqiptare. Në kërkesën e saj Kryeprokurorja Ina Rama i mëshon idesë se deklarata e Diverollit është shumë e rëndësishme për ecurinë e hetimeve të çështjes “Gërdeci”. Kërkesa e Prokurores së Përgjithshme u bë një ditë para zhvillimit të Kongresit Amerikan në Uashington, në të cilin do të diskutohet mashtrimi prej 300 milionë dollarësh nga presidenti i kompanisë AEY, 22-vjeçari Efraim Diverolli. Lidhur me këtë të fundit Kryeprokurorja i ka paraqitur kongresit në fjalë edhe pyetjet që i interesojnë organit të akuzës shqiptare, për të zbardhur dhe për t’u dhënë dënimin e merituar personave që kanë qenë të përfshirë në tragjedinë e 15 marsit në Gërdec të Vorës.
F. Mënalla
/////////////
Zjarr në pallat
Një i vdekur dhe disa të plagosur, prefektja shkarkon vartësit
Një i vdekur dhe disa persona të tjerë të plagosur. Ky ka qenë bilanci tragjik i një zjarr të rënë në një pallat trekatësh në qendër të qytetit të Korçës, pranë shkollës 9-vjeçare Naum Veqilharxhi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, kur sipas hetimeve të para të policisë, ka qenë shpërthimi i bombole gazi në njërën nga familjet e pallatit që ka provokuar më pas zjarrin e madh. Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur 4 makina zjarrfikëse, si dhe forca të shumta policie. Këto të fundit kanë filluar punën për evakuimin e 18 familjeve që banonin në pallatin e vjetër. Nga ana tjetër, në vendngjarje një ambulancë ka shoqëruar të plagosurit në spitalin e Korçës, ndërsa të dhënat e para folën se për shkak të asfiksisë ka gjetur vdekjen një person i moshuar i pallatit, emri të cilit nuk është bërë i ditur. Sakaq, rreziku i mundshëm ka qenë përhapa e flakëve edhe në pallatet e tjerë ngjitur. Për këtë arsye, në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe zjarrfikës nga Erseka, Pogradeci dhe Devolli. Po kështu, Bashkia e Korçës ka ngritur dhe një shtab emergjence. Falë masave të menjëhershme të marra, situata është normalizuar vetëm pas disa orësh. Ndërkohë, pas kësaj prefektja e qarkut të Korçës, Elfrida Zefi ka urdhëruar pushimin nga puna të disa vartësve. Kështu, mësohet se vendimi për pushim nga puna është marrë për shefin e Emergjancave Civile të Korçës, Alfred Ccekrezin për shefin e Mbrojtjes nga zjarri si dhe shefin e Zjarrfikësve. Masat e tilla ekstreme janë marrë pas ankimit të banorëve për mbërritjen me vonesë të zjarrfikësve.