E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirditë ; Refuzon shembjen e shtëpisë, ndalohet 75-vjeçari

Ka refuzuar Ndërtimoren t’i shembë shtëpinë, por ka përfunduar në polici. Mëhill Gjoka, 75 vjeç, nga fshati Blinisht i rrethit të Mirditës, ka përfunduar në polici pas refuzimit për të prishur shtëpinë e tij, ende pa i likuiduar paratë e dhëna për kompensim. Gjithçka ka ndodhur një ditë më parë dhe sipas të dhënave të policisë lokale, mësohet se i moshuari është shoqëruar në komisariat pas kundërshtimeve me forcë dhe fyerjeve që ka bërë ndaj punonjësve të rendit. Ndërkohë, nga ana e tij, Mëhilli është shprehur se “më shembën shtëpinë, unë u vura si barrikadë përpara. Le të më shtypin mua, përpara se të më rrëzojnë shtëpinë. Lekë nuk më kanë dhënë, ku të shkoj të jetoj?”. Me tej, banori i moshuar i fshatit Blinisht thotë se “ne këto kërkojmë, por dhe tek ndarja e parave, i marrin ata që bërtasin më fort e janë më të fortë, është si puna e ligjit të xhunglës dhe këtu për lekët tona, për pronat tona shekullore. Nuk ka më keq, si po veprojnë”. Ngjarja e djeshme i bashkëngjitet odisesë së dhjetëra rasteve të banorëve të tjerë, përgjatë aksit nga kalon rruga e re katërkalimshme Rrëshen-Kalimash e më tej, por rasti i Mëhill Gjokës është ekstrem edhe për vetë moshën që ka. Edhe pse traseja e rrugës po ua shkul shtëpitë disa banorëve në një lagje të fshatit Blinisht, atyre nuk u janë dhënë paratë që përfitojnë nga kompensimi. Rezistenca e tyre, si e drejtë e sanksionuar në Kushtetutën e vendit apo ligjet ndërkombëtare, u nëpërkëmbën ditën me diell dhe refuzimi i prishjes me hir a pahir i banesave, apo aq më keq kundërshtimi, ua ka bërë peshqesh dhe dyert e policisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›