E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i Stalinit

Një stacion nëntokësor hekurudhor në Moskë është vendosur në qendër të grindjes më të re në lidhje me trashëgiminë kundërthënëse të Josef Stalinit, hija e gjatë e së cilit po e ndjekë Rusinë edhe më shumë se pesë dekada pas vdekjes së tij.

Kritikët e epokës komuniste u tërbuan, kur vargjet e himnit të vjetër sovjetik, në të cilat lavdërohet Stalini, u skalitën sërish këtë verë në një shtyllë në stacionin Kurskaya. Tani, po flitet për mundësinë që shtatorja e diktatorit të kthehet aty ku ka qenë dikur, në hyrje të stacionit.

Arkitekti kryesor i Komunës së Moskës, Alexandër Kuzmin, i cili javën e kaluar ngriti idenë për kthimin e shtatores, theksoi se ky propozim nuk ka asnjë synim tjetër, pos dëshirës për saktësi historike.

Zyrtarët e hekurudhës të njëjtën gjë e thanë edhe për vargun me ngjyrë ari, të skalitur gjatë verës, i cili proklamon: Stalini na ka edukuar që të jemi popull i vërtetë, na ka inspiruar për punë dhe vepra heroike.

Por kundërshtarët theksojnë se këto ndryshime janë pjesë e fushatës për të rehabilituar Stalinin dhe për të nënvizuar pushtetin e tij të dorës së hekurt si një shembull të mirë për Rusinë e sotme.

Është kjo propagandë staliniste dhe asgjë tjetër, theksoi Yuri Bondarenko, drejtor i një grupi i cili po angazhohet për rikthimin e emrave të rrugëve nga periudha e carit, emërtimet e të cilave janë ndryshuar, pas revolucionit bolshevik në vitin 1917. Ata po tentojnë të kthejnë vendin disa dekada prapa, në kohën e gullagëve, shtoi ai.

Bondarenko iu referua rrjetit të kampeve të punës, në të cilat Stalini dhe kasapët e tij kanë dërguar një numër të madh të sovjetikëve, për të vuajtur dhe për të vdekur si të burgosur politikë.

Kujtimi për Stalinin ka mbetur një çështje përçarëse, që nga vdekja e tij në vitin 1953. Pasaardhësi i tij, Nikita Khruschcev, filloi fushatën për destalinizim, në kuadër të së cilës emri dhe pamjet e Stalinit u larguan nga shumë rrugë dhe objekte publike në të gjitha anët e Rusisë. Në vitet 80-të, gjatë kohës sa ishte president Mikhail Gorbachevi, u bënë zbulime të reja për krimet e Stalinit.

Por Stalini adhurohet nga shumë njerëz, të cilët theksojnë se ai e ka kryesuar Bashkimin Sovjetik drejtë fitores gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se e ka shndërruar vendin në superfuqi. Imazhi i tij është pastruar gjatë viteve të kaluara, duke shtuar brengën në mesin e kritikëve të Kremlinit se udhëheqësit në Rusi po trimërojnë një qëndrim më pozitiv për Stalinin, për të justifikuar zmbrapsjen e tyre nga demokracia.

Kryeministri Vladimir Putin dhe presidenti Dimitri Medvedev në pjesën më të madhe i janë shmangur kritikave apo lëvdatave publike për Stalinin, duke përmendur rrallë emrin e tij publikisht, por ata kanë kundërshtuar të gjitha përpjekjet, për të krahasuar Bashkimin Sovjetik të Stalinit me Gjermaninë e Hitlerit.

Putin ka shfrytëzuar si të kaluarën cariste, ashtu edhe atë sovjetike, për të forcuar krenarinë kombëtare dhe popullaritetin e tij.

Vitin e kaluar, Stalini u rreshtua në vendin e tretë të figurave më të mëdha historike të Rusisë, në votimin e organizuar nga televizioni shtetëror i Rusisë. Librat e historisë, në të cilat Stalini paraqitet si njeri pozitiv, janë mjaft të shitura, ndërsa Gorbachev së fundi dënoi përpjekjet që Stalini të paraqitet si një menaxher i mrekullueshëm, në vend se të paraqitet si një vrasës autokrat.

Vladimir Lavrov, zëvendësdrejtor i Institutit të Historisë Ruse në Moskë, theksoi se gjatë viteve të fundit, në Rusi janë vendosur apo rikthyer në vendet e tyre rreth 10 shtatore të Stalinit.

Ai thotë se nuk beson se udhëheqësit më të mëdhenj të Rusisë qëndrojnë prapa kësaj fushate, por shtoi se heshtja e tyre po dërgon një sinjal të rrezikshëm. Lavrov tërhoqi vërejtjen se ringjallja e idhujve komunistë do të pengojë synimin e shprehur të Medvedevit, për ta shndërruar Rusinë në një shoqëri më moderne, e cila do të respektojë ligjin.

Me monumentet e Stalinit nuk mund të ketë ringjallje të Rusisë. Mund të ketë vetëm ngecje, tha Lavrov.

Sistemi nëntokësor hekurudhor në Moskë është ndërtuar gjatë kohës së pushtetit të Stalinit, por me një çmim të lartë njerëzor.

Duke shikuar mbishkrimin në shtyllën në stacionin Kurskaya, avokati Alexei Korchaganov, theksoi se të arriturat e këtilla nuk mund të justifikojnë kthimin e mbishkrimit, me të cilin lavdërohet Stalini, apo edhe rreshtin, në të cilin lavdërohet edhe udhëheqësi i bolshevikëve, Vladimir Lenini. Stalini dhe Lenini kanë qenë tiranë, të cilët kanë terrorizuar vendin, nënvizoi Korchanagov.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›