Nuklearet, NYT: Irani i thotë "jo" planit
Irani, përtej deklaratave të presidentit të vendit Mahmud Ahmadinejad, në realitet ka refuzuar idenë e transferimit jashtë vendit të pjesës më të madhe të rezervave të uraniumit për proçesin e pasurimit, një pikë qëndrore kjo e marëveshjes për çështjen nukleare, propozuar nga agjensia ndërkombëtare për energjinë bërthamore ose AIEA, dhe zyrtarisht e aprovuar javën e kaluar nga SHBA-ja, Rusia, dhe Franca. Një lajm i tillë është konfirmuar nga "New York Times" e cila citon burime diplomatike nga Europa dhe nga zyrtarë amerikanë, që janë në dijeni të përgjigjes së dhënë nga Irani për IAEA-n. Me këtë reagim, Teherani ka suprizuar sërish komunitetin ndërkombëtar dhe sipas të përditshmes amerikane "New York Times", Teherani i ka komunikuar agjencisë për energjiinë atomike në Kombet e Bashkuara se nuk ka ndërmend të firmosë marëveshjen e Vienës. Nga kjo marrëveshje, parashikohej transferimi i uraniumit për pasurimin e tij jashtë vendit , në Rusi dhe Francë, e më pas të kthehej në Iran e të përdorej për qëllime civile. Në këtë mënyrë duket se Irani vë në provë të fortë nervat e ndërkombëtarëve pasi ka hedhur poshtë propozimin për ta pasuruar uraniumin jashtë vendit edhe pse gjatë ditëve të kaluara, kishte pranuar në parim marrëveshjen e ofruar. Sipas gazetës prestigjoze amerikane, "New York Times", Teherani nuk e pranon këtë propozim që u mendua se do t'i jepte fund krizës për çështjen e programit bërthamor. Më herët presidenti iranian, Ahmadinejad kishte pohuar se vendi i tij ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Perëndimin, por një deklaratë e tillë bie ndesh me qëndrimin me të fundit të Iranit për të mos nxjerrë jashte territorit uraniumin.