I dehur tej mase, var veten 52-vjeçari
Një person ka varur veten në kushte depresioni, pasi kishte konsumuar një sasi të lartë alkooli. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Yrshek të Tiranës, kur Xhemal Osmaj është vetëflijuar në një nga dhomat e shtëpisë së tij. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 10:30, janë njoftuar se në Yrshek, të Komunës Kashar, ka varur veten në banesën e tij Xhemal Bajram Osmaj, 52 vjeç, nga Tropoja. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e komisariatit nr. 6, të cilët konstatuan se vetëvrasja kishte ndodhur në njërën nga dhomat e banesës private. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima është dërguar në morgun e Tiranës për kryerjen e ekspertizës, ku ka rezultuar se ai nuk ka shenja dhune, por është zbuluar se kishte konsumuar alkool tej mase. Në këto kushte, uniformat blu kanë marrë në pyetje edhe familjarët e tij, të cilët nuk kanë ditur të tregojnë ndonjë motiv të mundshëm, që mund të ketë shtyrë 52-vjeçarin për të ndërmarrë aktin e vetëflijimit. Por duke u nisur nga provat e gjetura, policia deklaroi se vetëvrasja ka ardhur për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike, për efekt të përdorimit të pijeve alkoolike.