“Kthimi i opozitës në Kuvend, shans i mirë për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative”
Deklaron ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani
Ligji për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative është një nga më të rëndësishmit dhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Tashmë ky ligj është futur për diskutim në axhendën e punimeve të Kuvendit.
Mazhoranca parlamentare dhe biznesi, kanë kërkuar miratimin e shpejtë të këtij ligji, por për këtë nevojiten edhe votat e opozitës. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, e sheh kthimin e opozitës në Kuvend, si një shans për kalimin e këtij ligji.
“Ne jemi një vend tashmë me institucione të konsoliduara. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe ky moment ka dashur kohën e saj edhe të hartimit dhe konsolidimit të instrumenteve dhe të kuadrit ligjor. Ne e kemi këtë kuadër të standardeve europiane, të cilat i bëjnë funksionuese demokracinë dhe funksionuese institucionet në Shqipëri. Por, s’ka dyshim që ky kuadër ligjor, ka nevojë për përmirësim dhe plotësime të mëtejshme në mënyrë të tillë, që këto instrumente, të sistemit të drejtësisë të funksionojnë në mënyrë me fleksibile dhe efiçente. Kemi një rast konkret është miratimi i pritshëm për ngritjen e Gjykatës Administrative”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.
Në këtë rast, opozita ka një detyrim kushtetues të përgjegjësive, që ajo ka për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontributin përmes ekspertizës, qëndrimit politik si dhe përmes votimit dhe kalimit të shumë ligjeve, nëpërmjet funksionimit parlamentar.
“Nëse e injoron këtë përgjegjësi, natyrisht kjo është një përgjegjësi politike që i takon opozitës, që natyrisht duhet ta konsiderojnë këtë si një kontribut që i bëhet shtetit që do të qeveriset nga shumë qeveri në të ardhmen dhe dhjetëra vjet dhe dekada”, deklaroi më tej, ministri Nishani.