E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kërkesat e PS-së, jashtë juridiksionit të Parlamentit - dhunohet ndarja e pushteteve”

Flet juristi dhe ish-kryetari i KQZ-së, çlirim Gjata

Kërkesa e opozitës për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive, është e pabazuar në ligj dhe njëherazi është një kërkesë absurde që i drejtohet institucionit ligjvënës, pra atij të parlamentit. Sipas juristit të njohur dhe ish kryetarit të KQZ-së, çlirim Gjata, kresat e opozitës dalin jashtë juridiksionit të parlamentit dhe cenohet haptazi ndarja e pushteteve. Gjata thotë se kërkesa për rishikimin e ligjit për zgjedhjet i takon një pushteti tjetër që është KQZ-ja.
“Unë lexova ligjin dhe relacionin përkatës siç e kanë bërë transparent në media. Problemi nuk është se nuk ka pasur mangësi ligjore, por kërkesat në formë hetimi janë të pabazuara në ligj, sepse del jashtë juridiksionit të parlamentit dhe cenohet haptazi ndarja e pushteteve. Kjo është një veprim që i takon një pushteti tjetër, jo parlamentit. Kërkesa për rishikimin e ligjit për zgjedhjet i takon një pushteti të pavarur që është KQZ-ja. Me zgjedhjet merret Kodi Zgjedhor. Nuk mundet parlamenti të ndërhyjë në këtë veprim konkret. Krijimi i një precedenti të tillë do ishte i rrezikshëm edhe për pushtetet e tjera, pasi asnjë pushtet nuk do kishte nesër garanci për mbarëvajtjen e punës së tij. Opozita i ka bërë punët mbrapsht, pasi fillimisht mund të kishte bërë padinë në Gjykatën Kushtetuese, mund të kishte kërkuar një mendim nga Komisioni i Venecias dhe nuk do kishte më mirë një mundësi për kapërcimin e situatës, argument që cilin e mbështetën edhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës”, tha Gjata.
Juristi i njohur dhe ish kreu i KQZ-së, çlirim Gjata vuri në dukje se PS përmes projektligjeve të depozituara po tenton që në ligj të veçojë një rast. Sipas tij, rasti konkret nuk mund të hyjë në ligj, por mund të bëhet thjesht një ligj i veçantë.
“Jam njohur nëpërmjet medias për projektligjin e depozituar në Kuvend nga Partia Socialiste, që në thelb është për rishikimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Për herë të parë shkon në parlament një nisëm e tillë. Në këtë projektligj, po tentohet që në ligj të veçohet një rast, por, një rast mund të miratohet qoftë edhe me një ligj të veçantë, nuk është e nevojshme ndërhyrja në ligj. Nuk mund të hyjë rasti konkret në ligj. Për shembull, nuk mund t’i bëhet ligjit të pronave, një ndërhyrje që këto prona do ndahen sipas kësaj procedure dhe pronat e tjera përmes një procedure tjetër. Nuk mundet që zgjedhjet të kenë një procedurë hetimi të veçantë në raport me zgjedhjet e tjera. Ligji nuk mund t’i parashikojë të gjitha rastet, ligji vepron në mënyrë të përgjithshme. Hetimi zhvillohet duke u bazuar në ligj”, u shpreh juristi çlirim Gjata.
Duke iu referuar hyrjes në Kuvend të deputetëve të PS, Gjata tha se më në fund fitoi Kushtetuta dhe se opozita është tashmë përballë argumenteve juridike.
Sipas tij, nuk ka zgjidhje politike për çështjet ligjore apo juridike.
“Domosdo një tentativë e tillë do dilte jashtë kushtetutës dhe ligjeve”, tha juristi çlirim Gjata. Ai foli edhe për mundësinë e keqpërdorimit nga ana e opozitës të mazhorancës që do të ketë në komisionin hetimor. Por, juristi i njohur, këshilloi palët politike që të mos përmendin në ligj çështjen e mazhorancës së komisionit hetimor, sepse mund të shërbejë si një abuzim nesër, si një pengmarrje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›