E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon ambasadori spanjoll, Montobio: Hyrja e opozitës në Kuvend, veprim korrekt që po kërkohej me ngulm nga ndërkombëtarët

“Propozimet e PS, të shqyrtohen sipas ligjeve në fuqi”


Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian përshëndet vendimin e opozitës shqiptare për të thyer bojkotin. Kjo deklaratë është bërë përmes ambasadorit spanjoll në vendin tonë, Emmanuel Montobio, i cili e ka cilësuar tepër korrekt vendimin e PS-së për të hyrë në sallën e parlamentit, duke e konsideruar këtë si një hap tejet pozitiv edhe një ndër veprimet që po kërkoheshin nga ndërkombëtarët për të kapërcyer ngërcin politik, i cili kushtëzon interesat kombëtare të Shqipërisë. “Bashkimi Europian ka bërë një deklaratë publike, në të cilën ka shprehur opinionin e vet, dhe ne konsiderojmë se situata politike në Shqipëri duhet të tejkalohet nga lidershipi politik shqiptar, dhe që veprime të caktuara duhet të ndërmerren që të mos ketë një ngërç politik që të kushtëzojë interesat kombëtare të Shqipërisë. Hapat e tjerë që Shqipëria duhet të hedhë dhe që Bashkimi Europian dëshiron që ajo të hedhë, duhet të jenë ato të avancimit drejt perspektivës europiane. Në këtë kuptim hapi i ndërmarrë është një prej veprimeve që ne po kërkonim, dhe përbën një fakt pozitiv të cilin e përshëndesim dhe e përgëzojmë, pasi në çdo moment kemi thënë se ngërçi politik duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe se vendi i dialogut është parlamenti. Në këtë kontekst kjo na duket një gjë pozitive. Besoj që është pozitive sepse hap një dritare mundësish për zgjidhjen e krizës politike aktuale dhe në këtë kuptim, rezultati i diferencave politike duhet të jetë një marrëveshje”, u shpreh ambasadori Montobio. Ai deklaron më tej se do të ishte inkurajuese gjetja e një kompromisi mes palëve brenda në parlament, në përputhje me ligjet në fuqi dhe kushtetutën e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›