Shkodër, tërhiqet uji nga zonat e prekura nga përmbytjet, Basha inspekton ndërtimin e argjinaturave në komunën Bushat dhe Dajç

Në orët e para të mëgjesit të sotëm është vënë re një përmirësim i ndjeshëm i situatës në lagjet periferike të Shkodrës. Shtabi i Emergjencave në Shkodër informon se dhe prurjet dhe shkarkimet nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vau i Dejës gjatë ditës së sotme janë pakësuar. Favor dhe moti i thatë dhe me diell që ka përfshirë gjithë zonën e Shkodrës ditën e sotme. Kështu, sot paradite në lagjet Ajasëm, Bahçallëk, Livadhet dhe në komunën e Bërdicës shtë vënë re një tërheqje e ujit. Edhe dhe në vendin e quajtur harku i Bërdicës, pjesë e aksit Shkodër- Tiranë, e cila dy ditë më parë u mbulua nga uji, sot është vënë re tërheqje e tij. E pandryshuar situata në zonën e NënShkodrës. Shifrat e tokave të përmbytura mbeten të njëjta me ato që u raportuan dje pasdite nga Ministria e Brendshme. 6750 ha tokë nën ujë ndërkohë që të përmbytura rezultojnë 108 shtëpi dhe 805 të tjera janë rrethuar me ujë. Vazhdon të jetë e izoluar komuna e Velipojës, Komuna e Dajçit dhe fshati Obot në Komunën Ana e Malit. Ndërkaq, forcat e Ushtrisë janë përqëndruar në komunat e zonës së Nënshkodrës për t’i ardhur në ndihmë banorëve me evakuimin e tyre, nëse pranojnë, apo me shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Ka nisur furnizimi me ushqime dhe ujë të pijshëm për banorët e fshatit Obot të komunës Ana e Malit, disa fshatrave të komunës Dajç, në Malin e Jushit, në Bushat dhe një pjese të komunës Velipojë. Gjithashtu po punohet për përforcimin e argjinaturës në vendet ku janë më të dëmtuara si në fshatin Darragjat, të komunës së Dajçit, në fshatin ças të komunës së Velipojë si dhe po ndërhyhet në argjinaturën e fshatit Ashtë, ku rrezikohet gërryerja e tokës nga fryrja e lumit Drin. Problematike mbeten rrugët e fshatrave Obot dhe Goricë në komunën Ana e Malit, hyrja e rrugës kryesore të komunës Dajç dhe pjesa e aksit rrugor drejt Velipojës, pas Urës së Ded Gjo Lulit, të cilat janë të kalueshme vetëm nga mjetet e larta. Forcat e ushtrisë kanë evakuar 180 banorë kryesisht nga fshatrat Darragjat, Obot, Pemtar dhe Shirq të komunës së Dajçit. Mësohet se të evokuarit janë strehuar në banesat e të afërmve të tyre dhe asnjë person nuk është strehuar në dy kampingjet dhe në konviktin e vënë në dispozicion nga institucionet shtetërore. Basha në Shkodër, inspekton nga afër ndërtimin e argjinaturave në komunat Dajç dhe Bushat Për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ka qenë që në orët e para të mëngjesit në fshatrat e komunave Dajç dhe Bushat. Basha, pas takimit në Komitetin e Emergjencave civile në Prefekturën e Qarkut të Shkodrës, ka vijuar inspektimin e tij në fshatin Ashtë të komunës Bushat, në argjinaturën e fshatit ças, dhe në komunën Dajç. Gjatë inspektimit të tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ka deklaruar se aktualisht, situata është problematike, ndërkohë, nga ana e Komitetit të Emergjencave Civile, në bazë edhe të udhëzimeve të Prefektit të Shkodrës, po monitorohet hap pas hapi situata. Pas Ashtës, ministri i shoqëruar nga prefekti, Maxhid Cungu dhe deputetët e Shkodrës, Astrit Bushati, Arenca Trashani dhe Gëzim Dibra, kanë inspektuar edhe punimet në argjinaturën e fshatit ças, ku mjete të ushtrisë, vazhdojnë punimet për përmirësimin e kësaj argjinature për të mbrojtur komunën Velipojë nga përmbytjet. Ministri ka kërkuar që të vazhdojë me të njëjtin intensitet puna për rikonstruksionin e kësaj argjinature. Gjithashtu ministri ka inspektuar edhe argjinaturën e fshatin Darragjat të komunës Dajç e cila, përbën ende një rrezikshmëri të larte, që pas përmbytjeve të muajit janar. Ai ka kërkuar me domosdoshmëri dhe në urgjencë të plotë, që forcat e ushtrisë të përqendrohen në këtë argjinaturë e cila në rast çarjeje do të rikthente sërish përmbytje akoma më të mëdha në komunën e Dajçit. Austria 100 mijë euro ndihma për të përmbyturit në Shkodër Presidenti i Dhomës Federale të Ekonomisë së Austrisë, Dr. Kristog Laitl në një letër drejtuar kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ka deklaruar se “Këshilli i Ministrave të Austrisë ka rënë dakord të mbështesë Shqipërinë me ndihmë humanitare në shumën 100.000 euro. Dëshiroj të shpreh simpatinë time më të thellë për popullin shqiptar në lidhje me përmbytjet e mëdha dhe emergjencën civile në Shqipërinë veriperëndimore”, thuhet në letrën e z. Laitl. Laitl bën të ditur në letrën dërguar Jakës, se një numër kompanish austriake me reputacion të lartë kanë dhënë donacione në shuma të konsiderueshme parash, apo kanë ofruar donacione në formë ndihme ndaj viktimave të përmbytjeve dhe rikonstruksion infrastrukture. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës i është drejtuar homologëve të saj në vende të ndryshme të Europës për të ndihmuar në rimëkëmbjen sa më të shpejtë të këtyre zonave dhe kthimin në normalitet të saj. Në fillim të muajit mars do të deklarohet gjitha shuma e mbledhur në euro në llogarinë e ngritur posaçërisht, e cila do të dërgohet pranë Shtabit të Emergjencës Civile.
...