E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kthimi i pritjes drejtë ngecjes

Niet, niet, niet (jo) është përgjigja e Rusisë ndaj të ardhmes së Kosovës, bazuar në planin e Ahtisarit. Ajo vazhdon të kundërshtojë çdo zgjidhje me të cilën nuk pajtohet Beogradi, që do të thotë se Rusia do të vazhdoj të kundërshtoj përgjithmonë një zgjidhje të tillë çfarë propozohet tani. Në anën tjetër Evropa çdo ditë e me shumë po shkon drejt “çarjes” në qëndrimin e saj për të ardhmen e Kosovës, edhe pse thuhet e kundërta. Çdo ditë që shkojmë drejt fundit (fillimit) të procesit, BE-ja më shumë bien nën ndikimin e politikës putiniane dhe tani shumë shtete të BE-së deklarojnë se nuk duhet të ngutemi ose nuk mund të ketë zgjidhje pa rezolutë të KS të OKB-së, çka do të thotë se evropianët janë dorëzuar tërësisht para qëndrimit të Rusisë.
BE-ja po ia kalon Rusisë më qëndrimet e saja. Ajo kërkon shtyrjen e procesit për të paktën katër muaj, të paktën katër muaj, madje, këtu ia shkon Rusisë, kërkon një proces të ri të bisedimeve duke anashkaluar Ahtisarin dhe planin e tij. Një hap i tillë do të thotë se puna dhe angazhimi i Ahtisarit bie poshtë, se duhet filluar diçka të re, nga e para. Një fillim i ri, askujt më shumë nuk i kushton sesa Kosovës dhe askush me shumë pasojat si vuan sesa qytetarët e Kosovës. Një procesi i ri i bisedimeve do ta rrezikoj shkatërrimin e gjithë asaj që është ndërtuar deri më tani, mund të na fus në një rrugë pa krye, përfundimin e saj askush nuk mund ta dijë.
Palët me këmbëngulëse në këtë proces, të cilat vazhdojnë ta mbajnë gjallë shpresën e shqiptarëve se nuk do të lejojnë dështimin, ShBA-ja dhe Britania e Madhe, vazhdojnë ta kërkojnë zgjidhjen, madje duke paraqitur deri më tani tre variante të rezolutave, secila me modifikuar se tjetra. Ata i kanë zbutur edhe fjalët, ndoshta në kërkim të gjetjes së zgjidhjes për ta tejkaluar këtë situatë. Megjithatë, tani jemi futur në zonën e rrezikshmërisë, atë që në Raportin e tij për OKB-në kishte hartuar ambasadori norvegjez në NATO, Kai Aide, para se të fillonin bisedimet për statusin e Kosovës, raport i cili i dha dritën jeshile procesit të bisedimeve.
“Kosova ose mund të lëviz përpara, ose të rrëshqasë prapa. Pasi që është lëvizur nga ngecja deri të pritja, ngecjes nuk duhet t’i lejohet të kthehet sërish”, kishte shkruar Ambasadori Aide në raportin e tij. Kosova lëvizi nga ngecja, status-quo-ja, drejt pritjes së vendimit për statusin e saj, megjithatë gjërat nuk ecën siç ishin parashikuar dhe tani ngecjes po i lejohet të kthehet prapa, ndërsa që pritja është shndërruar përsëri në rrezik. Kthimi tek pritja do të thotë dështim dhe dështimi do të thotë veprime jashtë kontrollit. Këtë jo pak zëra janë duke e paralajmëruar tani, edhe pse një rrezik të tillë e kishin paralajmëruar shumë me herët njerëz që njohin mirë mentalitetin e udhëheqjes ballkanike.
Për të mos lejuar që ngecja të kthehet serish, atëherë duhet vepruar që pritja të shndërrohet në ecje. Këtë tani askush nuk mund ta bëjë, përveç amerikanëve dhe britanikëve. Këto dy palë janë të vetmet që mund ta bëjnë procesin të lëviz përpara, që të mos mbetemi duke pritur dhe që pastaj pritja të na kthehet në dështimit. Rusët e duna ngecjen, ndërsa që evropianët preferojnë ende pritjen. Amerikanët dhe britanikët e duan ecjen por nuk kanë vendosur ende se kur do të nisen, nuk kanë vendosur për datën e fillimit të marshutës e tyre, drejt qëllimit. Edhe pse e din se nuk mund të pritet gjatë ose në pa kufi, ata do të thonë, mjaftë është mjaft, ka ardhur koha për të marr një vendim.
Megjithatë, një situatë e tillë ose vendimi për të ardhmen e Kosovës nuk duhet të tingëllojë ngjashëm me atë që ma tha një akademik i yni se “drejtësia e vonuar nuk duhet të jetë “drejtësi e cunguar”. Shtyrja e vendimit për të ardhmen e Kosovës mund të na dërgoj tek ndonjë zgjidhje që nuk do t’i pëlqej askujt, me së paku shqiptarëve, sepse edhe ashtu pakoja e Ahtisarit nuk ka qenë me e mira për Kosovën. Tani rrezikohet që po kjo pako të dështojë për shkak të atyre që me së shumti e kanë dashur. Por, shqiptarët a do të jenë të gatshëm që në fund të gjithë kësaj osideade, për hatër të dikujt ose të shtyrë nga dikush të vihemi në dilemë “ nëse nuk do të kemi atë që pëlqejmë, a duhet të pëlqejmë atë që do të kemi?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›