E Hënë, 2 Nëntor 2026

Premisat për një shoqëri demokratike

Shpeshherë dëgjojmë të flitet për mosfunksionimin e institucioneve
demokratike në Shqipëri dhe si rrjedhim, shohim edhe se vëmendja
përqendrohet menjëherë te funksionimi i rregullt i zgjedhjeve, te
lufta
kundër korrupsionit, te lufta kundër ekonomisë joformale etj., si
kushte të
domosdoshme që të funksionojë demokracia. Por, duke u kushtuar mjaft
vëmendje këtyre faktorëve duket se është lënë në harresë një
faktor tjetër
mjaft i rëndësishëm për demokratizimin e institucioneve, që
është, kultura
politike e shoqërisë.

Jo se mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk ka rëndësi
për
demokratizimin e institucioneve apo, aq më tepër, lufta kundër
korrupsionit
e ekonomisë joformale. Përkundrazi, ato janë sinjalizuesit bazë që
tregojnë
nëse funksionojnë institucionet demokratike, apo jo. Por edhe
institucionet
demokratike, që të funksionojnë ashtu siç duhet, kanë nevojë për
një shoqëri
demokratike.

Që institucionet demokratike të kenë baza të forta, thekson
studiuesi i madh
i demokracisë, Robert A. Dahl, duhet që të veprojnë në një
shoqëri, e cila
të ketë të ngulura në kulturën politike të saj idealet dhe vlerat
e
demokracisë. Madje, një nga arsyet kryesore, pse institucionet
demokratike
funksionojnë më mirë në disa shtete sesa në disa shtete të tjera
është
pikërisht fakti se demokracia i ka rrënjët të ngulura më mirë në
kulturën
politike të shoqërisë së këtyre vendeve. Pikërisht, për sa i
përket
demokratizimit kultura politike e shoqërisë shqiptare duket se
është disi
larg. Megjithëse kanë kaluar gati 14 vjet nga përmbysja e regjimit
totalitarist, shumë koncepte të demokracisë që janë baza e
kulturës politike
në shoqërinë evropiane drejt së cilës duam të shkojmë,
vazhdojnë të
qëndrojnë ende larg mentalitetit të shoqërisë shqiptare.

Mjafton të shohësh frymën e jotolerancës që mbizotëron në
përgjithësi në
shoqërinë tonë dhe e kupton që demokracia akoma nuk i ka ngulur
rrënjët
ashtu siç duhet. Madje, pothuajse të gjithë jemi dëshmitarë që
në disa zona
të Shqipërisë vlerat e demokracisë ndeshen ende me koncepte
mesjetare që
mbahen gjallë, megjithëse jemi në shekullin XXI. Në një kohë që
filozofia e
demokracisë, por dhe ajo e integrimit kërkon qytetarë që të
mendojnë dhe të
kërkojnë me forcë që çdo zgjidhje politike duhet të dalë brenda
parametrave
të demokracisë dhe procedurave demokratike, në Shqipëri shumë të
rrallë janë
ata që e mendojnë një gjë të tillë. Kjo mungesë e demokracisë
brenda
kulturës së shoqërisë sonë mendoj se nuk vjen vetëm si rrjedhim i
së
trashëguarës, por dhe si rrjedhim i një mungese të vëmendjes sot.
Në qoftë
se politika shqiptare apo organizata të ndryshme janë përpjekur dhe
përpiqen
me reforma të ndryshme institucionale me qëllim për demokratizimin e
mëtejshëm të këtyre institucioneve, për demokratizimin dhe
emancipimin e
kulturës politike të shoqërisë tonë duket se nuk është bërë
dhe aq.

Kultura politike e shoqërisë tonë ka nevojë për një vëmendje më
të madhe.
Por, kjo vëmendje nuk duhet kërkuar thjesht te shteti shqiptar apo te
qeveria shqiptare, por dhe tek shumë organizata e shoqata të ndryshme
që
veprojnë në vendin tonë e sidomos, tek ato shoqata e organizata të
cilat
merren më drejtpërdrejt me problemet e demokratizimit. Sot në
Shqipëri
veprojnë shumë organizata apo shoqata të ndryshme të këtij lloji,
por këto
shumë pak janë marrë me problemin e kulturës politike të
shoqërisë tonë.
Megjithëse dihet që kultura politike është diçka e trashëguar dhe
që të
formohet një kulturë e re duhet të kalojnë disa breza. Mendoj
përsëri që
shoqëria shqiptare ka shanse të mira për ta zhvilluar dhe forcuar
më tej
demokracinë. Për këtë do të ishte e nevojshme thjesht një
vëmendje më e
madhe dhe një angazhim më i drejtpërdrejtë i të gjithë aktorëve
që luajnë
rol në procesin e demokratizimit.

Pasi, pavarësisht problemeve të ndryshme, një pjesë e mirë e
shqiptarëve
duket se janë ndërgjegjësuar disi dhe e kanë kuptuar, duke parë
edhe të
shkuarën e tyre, që asgjë e mirë nuk vjen nga jotoleranca. Por,
një
ndërgjegjësim i tillë duhet të shtrihet edhe më gjerë. Ideja që
toleranca
dhe mirëkuptimi janë baza e progresit të shoqërisë duhet të
shtrihet dhe në
pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare, e cila, fatkeqësisht,
ndodhet në zonat
e thella rurale ku dhe kontakti me pjesën tjetër të shoqërisë
është më i
vështirë. Shumë prej këtyre shoqatave apo organizatave që
përmenda më sipër,
vetëm sa kanë bërë një përshkrim të thjeshtë të problemeve që
lidhen me
demokracinë në këto zona. Do të ishte më frytdhënëse, mendoj,
sikur këto të
zbrisnin në terren dhe të jepnin ndonjë ide konkrete për zgjidhjen
e këtyre
problemeve.

Gjithashtu, nuk duhet harruar dhe që një pjesë e konsiderueshme e
shoqërisë
shqiptare jeton prej kohësh në ShBA dhe në vende të ndryshme të
Evropës
Perëndimore. Madje, shumë të rinj studiojnë në universitete
prestigjioze të
këtyre shteteve, duke u edukuar kështu me një mentalitet të ri, me
mentalitetin e Evropës, në gjirin e së cilës ne duam të
integrohemi. Një
kujdes dhe një vëmendje më e madhe në kulturën politike të
shoqërisë, si dhe
një “shfrytëzim” më i mirë i kësaj pjese të shoqërisë që
jeton në vendet
perëndimore do të ishte mjaft domethënës, mendoj, për të forcuar
dhe për të
vazhduar më me sukses demokratizimin dhe integrimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›