E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i tokave bujqësore, dosjet me probleme



Shumica e personave që pretendojnë pronësinë në tokat bujqësore në qarkun e Durrësit, nuk ka marrë pothuajse asgjë, pasi të gjitha dosjet e depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave rezultojnë me mangësi të theksuara në dokumentacion. Fjala është për kërkesat që u depozituan gjatë gjysmës së dytë të vitit 2008. Me anë të një komunikate shtypi, AKKP-ja ftoi pretendentët për prona në tokat bujqësore që të dorëzonin kërkesat e tyre në bazë të ligjit përkatës. Deri tani numri i dosjeve arrin në 1000.

Punonjësit e AKKP-së kanë arritur që të shqyrtojnë një numër të madh prej tyre, por ka rezultuar se 90 për qind e dosjeve kanë mangësi të theksuara në dokumentacion. Kjo ka bërë që një pjesë e pretendentëve për prona në fshat t’i drejtohet gjykatës. Gjatë vitit 2008, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dega Durrës, njoftoi të gjithë pretendentët për toka bujqësore që të dorëzonin kërkesat pranë sporteleve të kësaj agjencie. Afati i fundit i pranimit të dokumenteve të kërkuara sipas ligjit, ishte data 31 dhjetor 2008. Deri atë ditë u depozituan pothuajse 1000 dosje.

Që nga ajo kohë, Agjencia ka arritur të hapë e të studiojë 500 prej këtyre dosjeve. Por rezultati ka qenë në disfavor të aplikantëve, pasi rezulton se më shumë se 90 për qind e dosjeve kanë mangësi të theksuara në dokumentet e paraqitura. Burime nga AKKP-ja u shprehën se dikujt prej pretendentëve i mungon harta, dikujt tjetër hipoteka e vjetër, diku nuk ekziston rilevimi e diku tjetër ai nuk përputhet me sipërfaqen e pretenduar si dhe të tjera mangësi të kësaj natyre. Kjo situatë ka bërë që vetëm një pakice fare të vogël t’u njihen pretendimet e tyre për sipërfaqe toke bujqësore. Dhe janë pikërisht ata që tashmë kanë në xhepa nga një vendim të këtij komisioni, i cili u ka njohur të drejtën e pronësisë.

Agjencia qendrore e AKKP-së në Tiranë ka caktuar muajin qershor 2009, si afatin përfundimtar për shqyrtimin e dosjeve me kërkesat për pronësinë mbi tokat bujqësore. Afati konsiderohet si i pamundur për t’u realizuar, për vetë volumin që ndodhet përpara punonjësve të agjencisë. Pjesa më e madhe e atyre që kanë marrë përgjigje negative, e kanë zhvendosur betejën në Gjykatën e Faktit në Durrës.

Ndërkohë, është edhe një kontigjent tjetër i përbërë nga 100 familje, të cilat mbajnë ndër duar vendimin e komisionit të ndarjes së tokës. Bëhet fjalë për banorët e zonës së Ishmit, të cilët kanë marrë toka pranë Gjirit të Lalësit sipas ligjit 7501, por që Hipoteka nuk ua njeh dhe nuk i ka pajisur me certifikata pronësie.

Adresari i Tiranës, numërohen 1000 mijë rrugë në kryeqytet

Bashkia e Tiranës tashmë ka përfunduar të dyja fazat e projektit të Adresarit të Tiranës, të cilat konsistonin në numërimin dhe emërtimin e rrugëve në kryeqytet. Nga ky proces janë numëruar 1000 emra rrugësh, nga të cilët 840 janë emra të rinj. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se “tashmë ka përfunduar në mënyrë të plotë Adresari i Tiranës, ku janë regjistruar dhe emërtuar të gjitha zonat dhe ndërtesat dhe tashmë ky proces është në fazën e verifikimit në terren nga specialistët e njësive vendore, të cilët do të japin rezultatet përfundimtare të këtij procesi”. Po sipas të njëjtave burime “pritet që regjistrat e gjendjes civile të jenë të plotë, duke u shtuar edhe të dhënat për apartamentet apo banesat dhe çdo qytetar do të figurojë me adresë të saktë të shtëpisë në të gjitha njësitë bashkiake”. Së shpejti, këto emërtime do të jenë të hedhura edhe në sistemin GIS, në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës. Ky projekt i bashkisë është bërë i mundur në bashkëpunim me të 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit. Me identifikimin e të gjitha banesave dhe plotësimin e detajuar me të dhënat për çdo person, të cilat do të jenë të dokumentuara në gjendjet civile në njësitë bashkiake përkatëse, do të zgjidhen një sërë problemesh me të cilat qytetarët hasen çdo ditë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›