Arrestohet Afrim Hasani, vrau dy inspektorët pas kallëzimit në prokurori
Policia arrestoi ditën e djeshme Afrim Hasanin, autorin e vrasjes së dy inspektorëve të Qarkullimit Rrugor në fshatin Shënmëri në Kukës. Ndalimi i tij u bë 12 orë pasi humbën jetën dy policët Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila, të vrarë nga plumbat e një automatiku tip kallashnikov, që i ndaluari e mbante pa leje. 34-vjeçari qëndronte i fshehur afër zonës ku kreu krimin, ndërsa u gjet dhe u prangos nga uniformat blu. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të lindur midis Hasanit dhe dy punonjësve të policisë pak ditë më parë. Më datë 17.03.2009, autori i kësaj ngjarjeje, person me precedentë penalë, i dënuar më parë, është kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës nga dy inspektorët e lartpërmendur për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës së tjetrit. Ky është shkaku dhe motivi i këtij krimi të rëndë, që u mori jetën dy punonjësve të policisë. Ata ishin duke qëndruar në mbrëmjen e së hënës në një lokal në fshatin Shënmëri, kur autori i krimit iu afrua dhe i qëlloi ata me breshëri automatiku. Më pas ai u largua me shpejtësi. Ngjarja e rëndë bëri që në kërkimet për kapjen e 34-vjeçarit të organizoheshin forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës dhe ato të komisariatit të Kukësit. Viktima u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë dënimin për këtë vepër të rëndë penale.
Arrestimi
Arrestimi i 34-vjeçarit u krye në mesditën e ditës së djeshme, rreth orës 12:30.
Afrim Hasani u gjet i fshehur në një pyll pak kilometra larg qytetit të Kukësit, afër fshatit të tij. Në operacion morën pjesë dhjetëra forca policie të qytetit të Kukësit, Hasit, Pukës, forca speciale të RENEA-s të mbërritura nga Tirana.
Operacioni i arrestimit u drejtua nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ndërsa ndoqën nga afër operacionin edhe zv.ministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, si dhe drejtori i Antikrimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Nikolin Bala. Policia kërkoi gjatë gjithë natës për të bërë të mundur gjetjen dhe arrestimin e autorit të vrasjes. U ngritën edhe kontrolle dhe postblloqe të shumta përgjatë akseve kryesore të vendit. 34-vjeçari kishte mundur të fshihej në një banesë afër fshatit. Policia ka gjetur armën automatike kallashnikov me të cilën u krye vrasja. Arma ishte e mbushur dhe bashkë me të u gjetën edhe dy krerë me fishekë. Për të bërë të mundur vënien në pranga të Hasanit, u vu në dispozicion edhe një shpërblim prej 50 mijë eurosh nga ana e Policisë së Shtetit, për atë që do të tregonte vendndodhjen e tij. Pas ngjarjes, në drejtim të Shënmërisë janë drejtuar forca të policisë së Kukësit, ndërsa në ndihmë të tyre kanë udhëtuar nga Tirana edhe forca të RENEA-s, si dhe krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, për të ndihmuar në kapjen e autorit të vrasjes. Postblloqe të shumta të policisë janë ngritur jo vetëm përgjatë aksit rrugor Kukës-Shënmëri-Qafë Mali, por edhe në aksin Fierzë-Qafë-Mali e në zona të tjera të rrethit, ku dyshohet se mund të lëvizë 26-vjeçari Afrim Hasani. Gjatë natës, operacionet e kërkimit kanë qenë mjaft të vështira jo vetëm për shkak të errësirës, por edhe të dëborës që është mbizotëruese në këtë rajon, gjë që ka bërë që deri në orët e mëngjesit të djeshëm të mos arrihet ndalimi i vrasësit. Por, pas kontrolleve të shumta u arrit të gjendej vendndodhja e të kërkuarit dhe më pas ai të vihej në pranga.
Ngjarja
Dy inspektorët e Qarkullimit Rrugor, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila ishin duke qëndruar në një prej lokaleve të fshatit, në pritje për të marrë detyrën. Brenda në lokal ishte edhe pronari i tij, ndërsa nuk kishte klientë të tjerë. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes, autori i krimit është afruar, ndërsa mbante në dorë një automatik tip kallashnikov. Ai ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve të policisë me breshëri. Më pas është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Me gjithë përpjekjet për t’i dhënë ndihmën e parë atyre, gjithçka ka qenë e kotë, pasi plagët e marra nga plumbat dhe humbja e gjakut bënë që inspektorët e Qarkullimit të mos të mbijetonin dot. Që të dy, Dobrushi dhe Hila ishin banorë në fshatin Shënmëri, ashtu si edhe autori i krimit. Sipas policisë, Hasani ishte person me precedentë penalë. Menjëherë pas vrasjes janë angazhuar forca të shumta të policisë së qarkut dhe atyre nga Tirana. Ndërkohë që në vendngjarje shkoi grupi hetimor, i cili nisi nga puna për zbardhjen e rrethanave. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërkohë që u mor dëshmia e pronarit të lokalit. Më pas, u përcaktua identiteti i autorit të krimit, ndërkohë që nisi operacioni për arrestimin e tij që u finalizua me sukses në mesditën e ditës së djeshme.
Viktimat, efektivë të Policisë Rrugore të Komisariatit Kukës
Inspektor Shkëlzen Dobrushi, i datëlindjes 1980, lindur dhe banues në Shënmëri, Kukës
Inspektor Ramadan Hila, i datëlindjes 1965, lindur dhe banues në Shënmëri, Kukës
Autori i ngjarjes
Afrim Hasani, i ditëlindjes 1975, lindur dhe banues në Shënmëri, i cili ka qëlluar me armë zjarri automatike, që e mbante pa leje