E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi me kusht

Pas tentimeve të kota për dhjetë vite me radhë që drejtësia të vihet në vend, tashmë një shpresë e vogël është zgjuar për Sabri Kelmendin, se ata që vranë 11 anëtarët e familjes së tij, në mesin e tyre plakun Qazim 105 vjeç dhe Rinorin 12 muajsh, një ditë do të dënohen.

Sabriu, një burrë i moshës së mesme, i cili në kohë lufte ka humbur gruan, nënën dhe vajzën dhe ka të zhdukur gjashtë anëtarë të tjerë të familjes, nuk do të kërkojë drejtësinë vetëm për familjen e tij. Në emër të të gjithë banorëve të fshatit Zallç të Istogut me rrethinë, ai ka vendosur të padisë 22 serbë. Ai thotë se këta persona që i njeh me emër e mbiemër, gjatë dëbimit të banorëve shqiptarë nga fshati i tyre, kanë vrarë rreth 200 persona të kësaj rrethine.
Tashmë banorët e Zallçit kanë në dorë dhjetëra dëshmi për të vërtetuar fajësinë e tyre.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që ngrehin padi penale kundër tyre, por e katërta.
“Për të katërtën herë ne padisim ata persona. 22 prej tyre janë që i identifikojmë, kanë qenë fqinjë tanë. Disa prej tyre janë ish-komandantë të policisë famëkeqe serbe, janë ish-paramilitarë dhe punëtorë të burgut të Dubravës. Kemi bërë padinë në UNMIK dhe në Hagë, por deri më tani gjithçka ka qenë e kotë”, thotë Sabriu.
Mirëpo, ai thotë se tashmë shpreson që punën e lënë në gjysmë të UNMIK-ut do ta vazhdojnë zyrtarët e EULEX-it dhe ICO-së.

“Të enjten kanë ardh zyrtarët e EULEX-it dhe ICO-së. Kanë marrë të gjitha dokumentet që dëshmojnë se ata persona janë kriminelë. Ne nuk jemi kundër kthimit të serbëve, por jemi kundër kriminelëve”, thotë Sabriu.
Toka e Aca Komatoviq, në të cilën shihen rrënojat e shtëpisë dhe një tendë, gjendet vetëm pak metra larg shtëpisë së Sabriut. Ai këtë person e identifikon si personin kryesor përgjegjës për vrasjen e familjarëve dhe gjymtimin e tij.

Ai thotë se vetëm para disa muajsh, Komatoviq ishte kthyer në Zallç, por se ishte larguar menjëherë pasi që kishte kuptuar se ndaj tij është ngritur padi për krime lufte.

“Si mund të shoh në oborr atë person që ma masakroi familjen. Në po të njejtën ditë ai me ka plagosë mua në fytyrë dhe këmbë, nuk deshi që unë të vdes, por më tha ‘do të lë gjallë për me e kujtu se çka bëjnë serbët për vatan’. Ai nuk ka vendin në fshat, por në burg”, thotë Sabriu.

Para pak kohësh, banorët e organizuar të këtij fshati kanë protestuar kundër kthimit të atyre serbëve të dyshuar për krime lufte. Organizatori i këtyre protestave është Naser Rraci.

Ai thotë se me këto protesta nuk do të fusë frikën te banorët serbë që nuk kanë kryer krime. Por, sipas tij, me këto protesta paqësore ai dhe banorët tjerë duan të tregojnë se nuk do të lejojnë kthimin e fajtorëve.

“Kanë ardhur gjashtë familje serbe. Ata jetojnë të qetë sepse nuk kanë bë asgjë. Ne nuk kemi asgjë kundër tyre sepse janë kthyer në tokat e tyre, por ne kërkojmë drejtësi dhe ligj për të dënuar kriminelët”, thotë Naser Rraci.

“Qëllimi jonë është që ky rast të kalojë në gjykatë. Kjo është maratona jonë. Fillimisht janë 15 dëshmitarë që i kemi nga dy fshatra. Më pas do të vijnë edhe më shumë dëshmitarë që do të tregojnë për krimet që kanë bë këta kriminelë”, tregon ai.

Naseri kërcënon se në rast se edhe tentimi i EULEX-it do të dështojë për të vënë drejtësinë në vend, sipas tij, do të ketë trazira të shkaktuar nga banorët shqiptarë të zonës së Zallçit.

“Nëse nuk ka asgjë as nga EULEX-i, atëherë ne do ta marrim ligjin në duart tona. Nuk mund të lejojmë që kriminelët të ecin të lirë”, thotë ai.

Ndërsa Ministri për Kthime dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Sasha Rashiq, thotë se asnjë emër që është përmendur në protestën e banorëve të Zallçit, nuk është më mesin e të kthyerve. Por, ai nuk e di nëse tash së voni është shtuar ndokush në listë.

Deri më tani janë të kthyer 29 përfaqësues të familjeve.

“Ne nuk mbrojmë askënd që ka kryer krime lufte. Për të vërtetuar këtë janë gjykatat dhe nuk jemi kundër për të sqaruar këtë çështje, por as nuk jemi për denoncimin dhe dënimin e njerëzve të pafajshëm”, thotë ministri Rashiq.
Përkrahës i kësaj iniciative është edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Behxhet Shala, drejtori i KMDLNj-së, thotë se përkrah kthimin e të gjithë të zhvendosurve pa marr parasysh përkatësinë e tyre nacionale, mirëpo ai thotë se kërkon përgjegjësi për ata të cilët janë përgjegjës për krime.

“Bashkësia ndërkombëtare është duke bërë një gabim, meqë thuajse të gjitha kallëzimet penale për krime lufte, të cilat KMDLNj i ka paraqitur në Prokurori Komunale apo të Qarkut, asnjëherë nuk është marrë parasysh kjo. KMDLNj në Pejë është i kyçur drejtpërdrejt në çështjen e Zallçit dhe mendoj se duhet të verifikohet kallëzimi penal i atyre banorëve”, thotë Shala.

Ai thotë se nëse kjo çështje nuk do të zgjidhet atëherë, sipas tij, kthimi i banorëve serbë në Zallç nuk është i mirë sepse nuk do të ishin të rrethuar me një ambient të qetë.
“Banorët e Zallçit nuk janë kundër kthimit të fqinjëve të tyre të kombësisë serbe por ata janë për të kërkuar përgjegjësi ndaj atyre që janë përgjegjës për krime të cilat janë të identifikuar në bazë të dëshmive”, shton Shala.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›