Ministria: Tuneli i Kalimashit hapet më 21 maj

Pasi u shemb në tetor të vitit të kaluar, qeveria do të hapë sërish tunelin më të shtrenjtë të të gjithë rajonit tonë
TIRANË- Tunel i Thirrës, në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin, pritet të hapet më datë 21 maj. Kjo është pohuar nga zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka. I hapur për herë të parë vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 28-qershorit, tuneli u shemb menjëherë sapo përfunduan zgjedhjet. Ky ishte dështimi më i madh i rrugës më të shtrenjtë të rajonit tonë, ndoshta edhe të të gjithë Europës.
Sipas burimeve zyrtare, hapja e tunelit do të bëhet për sezonin turistik veror me qëllim që të vijnë në Shqipëri shtetasit kosovarë. "Duke llogaritur se një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë dhe e emigrantëve shfrytëzojnë këtë tunel për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, ky tunel do të jetë i gatshëm për qarkullim",- tha Noka.
Sipas tij, tuneli ka përfunduar së betonuari, janë hequr tërësisht armaturat dhe është në proces asfaltimi, ndërsa po punohet edhe për instalimin e të rrymës dhe aparaturave të ndryshme, si kamera etj.
Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar. Në njoftimin e MPPTT-së thuhej se "tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi".
Pas mbylljes së tunelit, kalimi i mjeteve devijoi përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morin-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas. Autostrada Durrës-Kukës-Morin është e gjatë 170 kilometra dhe i gjithë procesi i ndërtimit të saj është cilësuar nga Prokuroria e Përgjithshme si vepër penale ku dyshohet se janë vjedhur dhjetëra miliona euro.