E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Nuk janë shlyer të dhënat nga serveri i MTPT’së

Udhëheqësi i Divizionit për Siguri dhe Operime Qendrore pranë Ministrisë së Administratës Publike, Gani Zogaj, ka mohuar njoftimet e bëra nga EULEX-i për shlyerjen e të dhënave në serverin e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, duke thënë se të dhënat e MTPT-së gjenden në serverë dhe se asnjë e dhënë nuk është fshirë nga këta serverë.

Ministria e Administratës Publike përmes një njoftimit për media të dielën ka sqaruar se në bazë të legjislacionit në fuqi në Kosovë, kjo ministri vendos standardet dhe shërbimet e teknologjisë informative, që përdoren nga institucionet e qeverisjes dhe koordinon sigurimin e shërbimeve të teknologjisë informative në këto institucione.

“MAP menaxhon me serverët e Qendrës së Teknologjisë Informative Qeveritare, pronar i të cilëve është MAP. Meqenëse MAP, përkatësisht Departamenti për e-Qeverisje dhe Procese Administrative koordinon sigurimin e shërbimeve të teknologjisë informative, konstatojmë se disa institucione kanë sisteme të pavarura të TI-së, e ato janë: Ministria për Ekonomi dhe Financa, Administrata Tatimore e Kosovës, Doganat, Zyra e Auditorit Gjeneral, Policia e Kosovës. Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se Ministria e Transportit dhe Postë –Telekomunikacionit (MTPT) shfrytëzon serverët e qendrës së Teknologjisë Informative Qeveritare, që menaxhohen nga Ministria e Administratës Publike”, thuhet në sqarim.

Duke iu referuar udhëheqësit të Divizionit për Siguri dhe Operime Qendrore, Gani Zogaj, të dhënat e MTPT-së gjenden në këta serverë dhe asnjë e dhënë nuk është fshirë nga këta serverë. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›