Kthimi në normalitet dhe Rezistenca
Ka shumë arsye që opozita shqiptare sot nuk duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme, përkundrazi, të vazhdojë, në Kuvend e institucione, opozitën që shumë shqiptarë i kanë besuar dhe duan të dëgjojnë ta bëjë. Të kalojë provën e zgjedhjeve lokale të 8 majit e të përgatisë të vetët dhe veten për sfidën e zgjedhjeve të përgjithshme të 2013. Të gjithë jemi dëshmitarë që mazhoranca sot në pushtet nuk është fryt i një superfitoreje të koalicionit të krijuar me kujdes nga kryeministri Sali Berisha, por nga vendimi final i LSI për të bërë aleancë me të pas konflikteve me PS, aleate natyrale. Shumë në opinionin publik kërkojnë të bëjnë një paralelizëm mes Shqipërisë dhe gjendjes në vendet arabe që sot janë në revolucion, por ky paralelizëm nuk shkon. Berisha nuk është as Gadafi dhe as Ben Ali dhe kjo, jo sepse kryeministrit aktual nuk do t’i pëlqente, por se shoqëria shqiptare, media, opozita ka fituar pjekurinë dhe personalitetin e duhur për të kundërshtuar që të arrihet aty. Kam parë si shpresëdhenëse qëndrimet e Presidentit Topi, Kryeprokurores Rama, Kreut të SHISH Shaqiri ndaj presioneve të ekzekutivit dhe ky është shembulli më i bukur që çdo individ në shoqërinë tonë duhet të ndjekë në çdo fushë që punon e jeton. Rezistenca. Kjo është fjala magjike që do ta bëjë Shqipërinë të mos bëjë hapa prapa në rrugën për integrim. Rezistenca ndaj presioneve, rezistenca ndaj joshjeve të korrupsionit, rezistenca ndaj ofendimeve, rezistenca për t’i shpjeguar njerëzve se ku qëndron e drejta dhe e vërteta. Ikja, bojkotimi, largimi, përplasja e derës, nuk zgjidhin asgjë. Mazhoranca, nga ana e saj, nuk lodhet: po përgatit një sulm tjetër ndaj kryeprokurores Ina Rama në Kuvend, veç atyre të përditshmeve që raportohen nga eksponentë të PD në media. Kryeprokurorja mund të rezistojë vetëm nëse është e paimplikuar. Vetëm vërtetësia, drejtësia e pastërtia të jep forcë për të përballuar çdo gjë. Kjo është lufta më e vjetër e njerëzimit: lufta e të mirës me të keqen dhe ky duhet të jetë objektivi i çdo shqiptari sot, në pushtet, në opozitë e jashtë fare politikës. Nëse duam të bëjmë një shoqëri ku njerëzit të jetojnë mirë, duhet të kuptojmë se demokracia lulëzon me luftën e të kundërtave: nëse mazhoranca aktuale manipulon sot, opozita i denoncon dhe me ardhjen e saj në pushtet ka mundësinë të korrigjojë e të bëjë më mirë punët nëse shqiptarët i votojnë. Familjarët dhe fëmijët e katër të vrarëve në Bulevardin Deshmorët e Kombit, do të marrin përgjigjen e përsesë së humbjes së jetës së tyre, vetëm nëse shoqëria nuk i harron. Ashtu si dhe familjarët e viktimave të Gërdecit. Por viktimat dhe pakicat duan një zë të fortë që nuk mund të jetë pushteti, për këtë arsye opozita, ka një rol të jashtëzakonshëm, ka një mision: të vigjëlojë që askush të mos manipulojë zgjedhjet dhe, nëse votohet, pushtetin le ta gëzojë, nëse nuk votohet, të kuptojë që është punë e bukur dhe e privilegjuar edhe ajo e opozitës.