Malaj: Deklaratat e Bodes për BB tregojnë dështimin e qeverisë
PS i bën thirrje qeverisë të marrë urgjentisht përsipër çdo detyrim dhe përgjegjësi që të lehtësojë fillimin sa më parë të projekteve të vonuara ose të bllokuara që ka me BB-në dhe donatorë të tjerë, si Bankën Evropiane për Zhvillim. Deputeti socialist Arben Malaj, në një prononcim për shtyp tha se deklaratat e ministrit të qeverisë tregojnë dështimin e saj, ndërsa shprehu shqetësimin se qeveria po mban të njëjtin qëndrim “arrogant” me Bankën Botërore, siç mbajti dhe me FMN-në, kur kjo e fundit propozoi për të asistuar nga afër Shqipërinë në këtë periudhë paqartësish të risqeve ekonomike në rritje. “Deklarata e djeshme e qeverisë Berisha, se ajo është e zonja t’i tregojë derën Bankës Botërore për këtë projekt, siç ka bërë në vitin 1996 dhe siç bëri pak kohë më parë edhe me propozimin e ofruar nga FMN-ja për të asistuar nga afër Shqipërinë në këtë periudhë paqartësish të risqeve ekonomike në rritje, është dëshmi e dështimit dhe arrogancës së kësaj qeverie”, tha Malaj. Sipas tij, “me ardhjen në pushtet qeveria Berisha vështirësoi ndjeshëm dhe në disa raste edhe bllokoi fillimin e disa projekteve, për të cilat ishin nënshkruar edhe marrëveshjet financiare me donatorët”. Më tej, Malaj renditi disa projekte, investime të ndërkombëtarëve, të cilat sipas PS-së janë bllokuar nga vetë qeveria Berisha.
“Qeveria bllokoi për rreth tre vjet investimin rreth 70 milionë euro në rrugën Fier-Tepelenë, projekt i financuar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe Banka Evropiane për Investime. Qeveria bllokoi për dy vjet projektin e TEC-it të Vlorës, projekt që do të lehtësonte krizën energjetike, me kapacitet prodhues 85-135 MW, i mbështetur nga Banka Botërore, BERZH dhe BEI. Qeveria gjatë këtyre viteve dështoi në koordinimin dhe thithjen e financimeve nga donatorët e huaj. Investimet e huaja nga donatorët gjatë viteve 2005-2008 u pakësuan ndjeshëm, duke u kompensuar me kredi me kushte të rënda tregtare, çka rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë dhe cilësinë e jetës së tyre”, tha Malaj. a.l