E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 2 mijë tituj në Tiranë, peng i akteve nënligjore

 

BLEDAR HOTI

Verifikimi i titujve të pronësisë vazhdon të mbetet një proces i bllokuar. Vetëm për qytetin e Tiranës dhe Kavajës janë ende pa iu dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së 2 mijë titujve të pronësisë, duke mos i dhënë zgjidhje përfundimtare.
Kjo për shkak të mos nxjerrjes së akteve ligjore nga ana e qeverisë shqiptare. Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, njëkohësisht edhe kryetari i komisionit të verifikimit të titujve të pronësisë shprehet se “ende nuk janë nxjerrë aktet nënligjore për të dhënë mendim në lidhje me rastet problematike të pronësisë”. “Presim një vendim ose një akt nënligjor të qeverisë për të përcaktuar dhe saktësuar procedurat se si do të punohet veçanërisht në rastet kur do të shfuqizohen këto tituj pronësie. Por derisa kjo vendimmarrje e qeverisë dhe komisionit qeveritar të tokës të bëhet dhe të na vijë, ne po vazhdojmë, po procedojmë me rastet e tjera që nuk kërkojnë shfuqizime, por thjesht konfirmime. Pa dalë kjo bazë ligjore ne nuk mund të operojmë, veçanërisht është fjala për rastet kur shfuqizohen tapitë ekzistuese, titujt e pronësisë”, deklaroi Keçi. Prefekti i Tiranës, Keçi në prononcim e tij për “Panorama” theksoi se “janë paraqitur 670 kërkesa të ndryshme në lidhje me 2 mijë tituj pronësie”. “Vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit na ka depozituar kërkese të saj për 50 tituj pronësie”, theksoi Keçi. Nga këto kërkesa të paraqitur në total, mësohet se rreth 25 % i përkasin si pretendime për mbivendosje pronësie. “Ne kemi detyrën t’i verifikojmë pretendimet e ngritura nga ana e institucioneve të ndryshme, qytetarëve dhe më pas vendosim nëse janë të drejta apo ka mbivendosje”, theksoi prefekti. Keçi shpreh shqetësimin se ende nuk është bërë zyrtar vendimi i qeverisë në formën e aktit nënligjor, në të cilën pretendohet të zgjidhet situata në lidhje me njohjen e titujve të pronësisë, ose të zgjidhjes së çështjes së mbivendosjeve. “Ne jemi në pritje të plotësimit të bazës ligjore nga ana e Këshillit të Ministrave, për t’i dhënë zgjidhje çështjes së 2 mijë titujve të pronësisë që prefektura i ka shqyrtuar që nga muaji janar i këtij viti, duke i realizuar në një kohë rekord”, theksoi Keçi. Nevoja për akte shtesë nga ana e Komisionit Qeveritar të Tokës është parë e domosdoshme, pasi ende nuk dihet se në çfarë forme do të jetë vendimi i komisionit të qarkut, nëse duhet të njihet si titull pronësie, apo duhet të jenë zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që duhet ta japin atë. Pikërisht për këtë çështje cilësohet si mjaft i domosdoshëm nxjerra e titujve të pronësisë. Prefekti Keçi në të njëjtën kohë shprehet dhe për mungesë të bashkëpunimit nga ana e institucioneve të ndryshme shtetërore, që kanë detyrimin ligjor të japin informacione në kohë komisionit të Tokës në rang qarku. “Kemi shumë pengesa nga ana e institucioneve të ndryshme. Në punën tonë shumë komuna nuk na përgjigjen në shkresat që ne i kemi dërguar. Madje i kemi dërguar nga dy herë shkresa dhe ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Po ashtu probleme kemi me ZRPP-të, të cilat ende nuk na kanë dhënë përgjigje për një vendim që ne kemi marrë, duke e vlerësuar të drejtë titullin e pronësisë. Institucionet nuk po përgjigjen sipas ligjit”, deklaroi Keçi. Tirana dhe Kavaja si zona ku është përqendruar një pjesë e madhe e popullsisë ka shumë probleme me titujt e pronësisë, vetëm në komunat përreth ka pasur shumë mbivendosje. Gjithashtu, probleme ka edhe në rrethin e Kavajës, në pjesën bregdetare. Gjatë këtyre 17 viteve, sipas statistikave zyrtare që disponon Ministria e Bujqësisë kanë funksionuar mbi 5 mijë komisione që kanë vepruar për të ndarë tokën, mbi 450 mijë tituj pronësie të shpërndarë dhe ferma të krijuara në Shqipëri, përveç të tjerave që janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Verifikimi i komisioneve do të shtrihet kryesisht në zonat me përparësi turizmin, përgjatë bregdetit shqiptar. Përllogaritet se 4-5 mijë hektarë janë shpërndarë në kundërshtim me ligjet, që janë aplikuar prej 17 vitesh. Edhe pse nuk ka ende një shifër zyrtare të saktë, mendohet se janë 20 mijë abuzime të kryera, në lidhje me procesin e ndarjes së pronave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›