E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama po mban peng planin rregullues të Tiranës

 

ADI SHKEMBI

Këshilltarët demokr-atë kërkojnë mble-dhjen urgjente të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të votuar Planin rregullues të Tiranës, që më pas ai të kalojë në KRRTRSH. Pak kohë pas bllokimit të buxhetit për vitin 2009, një tjetër debat i ashpër politik pritet të zhvillohet në një nga mbledhjet e afërta të këshillit, ku grupi i dytë më i madh në këtë institucion do të kërkojë zhbllokimin e situatës për planin urbanistik. Në një deklaratë për shtyp, kreu i këshilltarëve demokratë, Ferdinand Pone, duke iu referuar ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, deklaroi se PD-ja do të marrë nismën për daljen nga kjo situatë. “Për të mos lejuar zvarritjen e miratimit të planit, grupi i këshilltarëve të PD-së do të kërkojë të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit të Bashkisë Tiranë për t’i dhënë fund kësaj situate sa korruptive e të jashtëligjshme”, theksoi Pone. Kreu i këshilltarëve demokratë bëri të ditur gjithashtu se kjo situatë është krijuar nga grupe klienteliste dhe nga vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Sipas tij, “mister Rama apo mister 350 ditëshi, siç e thërrasin rëndom qytetarët për zvarritjen pa fund të lejeve të ndërtimit, ka vetëm një instrument të dështuar, të shëmtuar, të zvarrisë, pengojë e sabotojë miratimin e planit, për të vazhduar të copëzojë e betonizojë Tiranën, për të vazhduar okazionalitetin abuziv të dëshirave të tij halucinante”. “Edhe pas thirrjeve të përsëritura të qeverisë dhe Ministrisë së Punëve Publike, për të dërguar planin për miratim në KRRTSH, në mënyrë të paimagjinueshme, por jashtëzakonisht të dëmshme për qytetaret dhe ndërtuesit e Tiranës, në mënyrë të jashtëligjshme Rama nuk ka lëvizur aspak, përveç grupeve të vullnetarëve të tij, për të dërguar për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, planin”, vijoi më tej Pone. Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha kërkoi që plani urbanistik për kryeqytetin të vijë në KRRTRSH për miratim. Në mbledhjen e radhës së Task Forcës për reformën rregullatore, kreu i qeverisë iu drejtua ministrit Olldashi për planin e Tiranës. “Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit që të kërkojë sjelljen e Planit Urbanistik të Tiranës në KRTSH për miratim, si dhe kërkoi shpejtimin e përgatitjes së planeve urbanistike të qyteteve të mëdha të vendit, si një kusht përcaktues për përmirësimin e klimës së biznesit”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.

Shalsi: Janë sulme me mllef

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, reagoi dje pas deklaratës së këshilltarëve demokratë. “Sulmet e koordinuara të Berishës dhe Metës, në adresë të urbanistikës së Bashkisë së Tiranës nuk na shqetësojnë, sepse jemi mësuar me trysninë e baltës dhe mllefit të politikës së vjetër, por na shqetësojnë si sulme talebane ndaj sipërmarrjes së lirë, ndaj njerëzve që duan të projektojnë, të investojnë dhe të ndërtojnë në atdheun e tyre”, theksoi Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›