Ku kanë përfunduar vajzat?
Imagjinoni sikur jeni një çift i ri, në pritje të një fëmije. Jetoni në një vend në zhvillim, i përkisni shtresës së mesme, keni të ardhura të mira mujore, por nuk doni një familje të madhe. Njerëzit përreth jush përkrahin të gjithë traditën, sidomos atë ku djemtë janë më të preferuar se vajzat. Por ç’do të bënit nëse zbuloni se prisni një vajzë? Me siguri që nuk do të arrinit kurrë të vrisnit një fëmijë, siç bëjnë nëpër fshatrat e largët të Kinës dhe Indisë. Për miliona çifte, përgjigjja është aborti dhe përpjekja për të pasur sërish një fëmijë, të seksit mashkull. Në Kinën e Veriut dhe Indi, lindin 120 djem për 100 vajza. Natyra ka vendosur që të lindin më shumë djem për të kompensuar predispozitën e tyre ndaj sëmundjeve infantile. Por jo me këto raporte. Për ata që janë kundër abortit bëhet fjalë për një gjenocid. Për ata që mendojnë se aborti duhet të jetë “i sigurt, i ligjshëm dhe i rrallë”, shumë gjëra varen nga rrethanat. Në çdo rast, këto zgjedhje mund të kenë pasoja të rënda për shoqërinë. Shumë shpejt Kina rrezikon të ketë vetëm meshkuj, për të cilët nuk do të ketë gra për t’u martuar. Në çdo vend, të rinjtë e pamartuar krijojnë probleme, sidomos kur rriten. Ndaj vihet re përqindja e lartë e kriminalitetit mes tyre. Prej kohësh, në këto vende, “zhduken” me miliona gra: shumë prej tyre nuk lindin fare, vriten ose lihen që të vdesin. Në vitin 1990, sipas llogarive të një ekonomisti indian, numri i tyre shkonte në 100 milionë. Sot, me siguri që janë më shumë. Shumë e dinë që Kina dhe India Jugore kanë një numër të madh meshkujsh, por pak e kuptojnë se sa i madh është ky problem. Në brezin e kinezëve të lindur në fund të viteve ‘80, çekuilibri mes dy sekseve ishte 108 meshkuj kundrejt 100 fermave, ndërsa tani ky raport ka shkuar 124 me 100. Madje, në disa provinca, shifra është 130 me 100. Në Kinë gjendja është më e rënduar, por ky problem haset në të gjitha vendet e Azisë Lindore, në ish-shtetet komuniste të Ballkanit dhe Kaukazit, mes emigrantëve në SHBA, madje edhe mes vendeve të pasura dhe përparimtare si Tajvani dhe Singapori. Në Kinë dhe Indi, raporti mes sekseve është më i çekuilibruar në rajonet më të pasura dhe më të shkolluara. “Masakra” ndaj vajzave është produkt i tre forcave: preferencës për fëmijët meshkuj, dëshira e një familjeje jo të madhe në numër dhe futja e teknologjive të reja, si ekografia, që të lejon të dish seksin e fëmijës para se të lindë. Në të kaluarën, kur ishte normale të kishe shumë fëmijë, familjet mendonin se herët apo vonë do të lindte edhe një djalë. Por sot, të gjitha çiftet duan jo më shumë se dy fëmijë, ndaj ato që duhet të sakrifikojnë janë vajzat. Për këtë arsye, raporti është më i çekuilibruar në zonat më moderne të Indisë dhe Kinës. Situata përkeqësohet sidomos pas shtatzënisë së parë, kur në fillim mund të pranohet një vajzë, por nëse edhe fëmija i dytë është femër, bëjnë gjithçka për të pasur një djalë. Vajzat janë viktima të një kombinimi pervers mes paragjykimeve antike dhe familjeve moderne gjithmonë e më të vogla në numër.
Një botë me meshkujNjë studim i Akademisë kineze të Shkencave Sociale, i publikuar në janar, ka treguar atë që mund të ndodhë në një vend ku vajzat nuk kanë rëndësi. Pas dhjetë vjetësh, kanë thënë ekspertët, një djalë në pesë të tillë nuk do të gjejë grua, sepse vajza nuk do të ketë. Parashikimi i Akademisë i përket popullsisë kineze me moshë më të vogël se 19 vjeç. Në vitin 2020, për këtë moshë do të ketë 30-40 meshkuj më shumë në krahasim me femrat. Shpesh ky lloj diskriminimi është parë edhe si pasojë e pavullnetshme e politikës kineze për një fëmijë të vetëm, apo i varfërisë dhe injorancës. Por, ky nuk mund të jetë shpëtimi i vetëm. Nga viti 1990 deri në 2005-n, numri i meshkujve të pamartuar që në Kinë, quhen guanggun, “rrënjë të thara”, është rritur në një nivel që nuk ka të bëjë me politikën e fëmijëve të vetëm të futur në vitin 1979. Ndërkaq është e qartë që lufta e “vajzave” nuk zhvillohet vetëm në Kinë. Edhe në Indi dhe në vendet e tjera të Azisë Lindore ndodh e njëjta gjë. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, fenomeni filloi të manifestohej edhe në vendet ish-komuniste të Kaukazit dhe Ballkanit Perëndimor. Sipas Nick Eberstadt, një demograf amerikan, shkaku i vërtetë i këtij fenomeni është një “kombinim fatal mes preferencës tradicionale për fëmijët meshkuj, rënies së lindshmërisë dhe përhapjes së teknologjive të reja për të parë seksin e fëmijës”. Në të gjitha shoqëritë lindin mesatarisht 103-106 meshkuj për çdo 100 femra. Ky raport ka mbetur i tillë për shekuj me radhë, ndaj shpesh duhet të themi se është edhe një proces natyror. Meshkujt kanë më shumë mundësi të vdesin gjatë fëmijërisë, ndaj lindin më shumë djem. Në momentin që në moshën e pubertetit, numri i tyre të jetë i barabartë me atë të vajzave. Por në 25 vitet e fundit, ky raport ka ndryshuar.
Nivel rekordMediat kombëtare fshehin shifra dhe më alarmante në nivel lokal. Sipas një studimi të “British Medical Journal”, vetëm në një provincë të Tibetit, raporti mes sekseve ishte ende në kufijtë natyralë. Në 14 provinca, sidomos në Jug dhe Lindje, raporti ishte 120 me 100, ndërsa në disa të tjera arrinte në 130. Studimi shërben për të sqaruar edhe një nga misteret e lidhura me çekuilibrim mes sekseve në Kinë. Sipas studimit, kjo i detyrohet abortit selektiv. Në shumë vende, ky fenomen po bën që meshkujt të kërkojnë femra për t’u martuar nga vende të tjera, duke çuar kështu në përzierjen e racave. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, në vitin 1991, edhe në Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji ka pasur një rritje të raportit mes meshkujve dhe femrave, që në 2000-shin ishte 115-120 me 100. E njëjta gjë ndodhi edhe në vendet e ndryshme ballkanike pas luftërave në ish-Jugosllavi. Në Serbi dhe Maqedoni raporti është 108 me 100. Por vendi me shifrat më alarmante është India. Preferenca për meshkuj në këtë vend rritet nga fëmija e dytë e më tej. Në një sondazh të bërë nga qeveria indiane, 60 për qind e grave me dy fëmijë deklaroi se do të donte që fëmija i tretë të ishte djalë, një përqindje thuajse dyfish më e madhe në krahasim me fëmijën e parë. Përqindja shkonte në 74 për indianet që kishin tre fëmijë. Deri në vitet ‘80, banorët e vendeve të varfra nuk mund të bënin asgjë për të “siguruar” një djalë. Thjesht natyra ndiqte rrjedhën e saj. Por në vitet pasardhëse, hyrja e teknologjive të reja, si ekografia, ndryshoi gjërat. Mjekët indianë nisën të bënin reklama me sloganin: “Paguaj 5 mijë rupi sot, por kurse 50 mijë nesër”. Kursimi lidhet me lindjen e vajzave. Miliona çifte që nuk donin vajza, por që nuk kishin kurajë t’i vrisnin zgjidhnin abortin. Tani një ekografi mund ta kryejnë edhe më të varfrit, pasi kushton jo më shumë se 12 dollarë.
Frika e kriminalitetitNë historinë e njerëzimit djemtë e rinj kanë qenë gjithmonë përgjegjës për pjesën më të madhe të krimeve dhe dhunës. Kështu në 20 vitet e fundit, numri i krimeve në Kinë është dyfishuar dhe bashkë me to edhe rastet e rrëmbimeve, shitblerjeve të femrave, përdhunimet dhe prostitucioni. Por dhuna nuk është pasoja e vetme për raportin mes sekseve. Ndërkaq, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i vetëvrasjeve mes grave në Kinë është më i larti se në çdo vend tjetër të botës, sidomos në fshatra. Shumë vdesin se nuk e pranojnë idenë që kanë vrarë apo abortuar vajzat e tyre me dëshirë.
#