Xhamia e Roshnikut drejt rrënimit, kërkohen fonde për restaurimin
Një nga objektet e rralla për nga vlera, xhamia e Roshnikut, po shkon nga dita në ditë drejt rrënimit, ndërkohë që komuna kërkon fonde për të shpëtuar këtë vepër të rëndësishme. Xhamia e ndërtuar në vitin 1672 me porosi të veçantë nga Mehmet Qyprilliu nga Turqia dhe fonde të akorduara prej tij, duket se po kalon ditët e fundit të saj. Objekti i veçantë për nga vlerat sot është shndërruar në një qendër për hedhjen e mbeturinave. Ndërkohë që tavani rrezikon të shembet, muret janë amortizuar krejtësisht. Për të inspektuar gjendjen e këtij monumenti kulture ka mbërritur dje, në fshatin Roshnik, inspektori i Monumenteve të Kulturës Tiranë, Genc Samimi. Ai është shprehur se xhamia e oshnikut gëzon statusin e monumentit të kulturës dhe si e tillë është në mbrojtje të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Por, dhe pse gëzon këtë status, mungesa e investimeve e ka lënë këtë objekt në mëshirë të fatit. Rreth vlerave historike të kësaj xhamie është shprehur dhe kryetari i komunës, Adriatik Seriani, i cili thotë se komuna i është drejtuar disa herë ministrisë përkatëse, Institutit të Monumenteve të Kulturës për të përfshirë xhaminë në objektet që përfitojnë fonde për restaurime, por deri më sot nuk ka përfituar asnjë investim. Komuna, sipas kreut të saj, nuk ka fonde për të mundësuar restaurimin dhe në këtë mënyrë është në pritje të fondeve nga instituti. Xhamia është një nga objektet e shpallura monument kulture dhe ndodhet në fshatin Roshnik të rrethit të Beratit, fshat nga i cili kanë dalë pesë kryeministra (Vezirë) që kanë drejtuar Turqinë gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Mehmet Qyprilliu ka qenë një nga kryeministrat turk, i cili investoi nga Turqia në fshatin e tij për ngritjen e kësaj xhamie. Por që fatkeqësisht duket se ky objekt kulti tashmë është në agoninë e ditëve të fundit.
#