Eugene Delacroix dhe Liria udhëheq popullin
Piktura është e fokusuar në vendosmërinë, angazhimin dhe forcën shpirtërore dhe intelektuale që ka nxitur klasën e varfër të ngrihet dhe të kërkojë të drejtat e saj dhe si rrjedhim, të ndryshoje fatin e saj. Në përmbajtjen e pikturës shprehet një dinamizëm i fuqishëm dhe një dramacitet i mprehtë, i reflektuar në mimikën dhe gjestet shprehëse të personazheve të pikturës. Turma, e treguar si e humbur në re të stërmëdha tymi, vrapon nëpër rrugë, drejt dritës, drejt lirisë.Shumica e burrave mbajnë armë në duart e tyre, madje edhe djali i pikturuar në anën e djathtë të tablosë – një figurë që mendohet se ka inspiruar romantikun e famshëm Victor Hugo të krijojë personazhin e Gavroshit në romanin e tij të mirënjohur “Të Mjerët”. Re të mëdha tymi krijohen nga të shtënat. Trupa të vdekur dhe kadavra dergjen mbi njëri-tjetrin nëpër rrugë, dhe pikërisht në mes të gjithë kësaj situate kaotike, një grua që mban pushkë në njërën dorë dhe një flamur trengjyrësh që valëvitët në dorën tjetër - Flamuri i Francës, simboli i Kombit – drejton turmën e njerëzve (të përbërë nga burra) drejt lirisë.
Kjo grua është Marianne, simbol i mishërimit të Republikës Franceze. E varfër, sikurse të gjithë francezët që jetonin në atë kohë. Këmbëzbathur, ajo është e veshur me një fustan të shqyer, pothuaj e veshur me lecka të cilat lënë gjoksin e saj të zhveshur.
E me gjithë varfërinë me të cilën ajo është e veshur, ajo nuk është një grua e zakonshme. Ka diçka thellësisht erotike dhe femërore në gjestet e saj, një liri shpirtërore. E pikturuar në ngjyra të gjalla dhe të ndezura, personazhi i Mariannes është i përqafuar krenarisht nga një dritë e fortë, duke krijuar një kontrast të mprehtë midis asaj dhe turmës. Kjo jep përshtypjen e një lëvizjeje në vazhdim të trupit të Marianne, duke bërë që ajo të paraqitet sikur tund flamurin trengjyrësh të Francës përjetësisht. Sikurse përmendëm më lart, gjoksi i Mariannes është i zhveshur. Robust dhe i fortë, gjoksi i saj provokon imagjinatën dhe e bën publikun të mendojë mbi statujën greke të Afërditës së Milos dhe gjithë perëndeshat joshëse në Mitologjinë Greke.
Me trupin e saj gjysmë të zhveshur, ajo vërshon në rrugët e Parisit. Ajo është e bukur, e re, e varfër, por përsëri e lirë. Veprimet e saj tregojnë kurajën dhe krenarinë e saj. Ajo vrapon drejt krahëve të lirisë dhe fitores. Ajo duket si perëndeshë e Olimpit që ka zbritur në Tokë, midis të vdekshmëve, ndërkohë që në mënyrë paradoksale ne e dimë, që ajo nuk është në të vërtetë e tillë, pra s’është një perëndeshë.
Ajo është njëkohësisht e varfër, por e pasur me krenari, njerëzore por edhe divine, thellësisht femenile, por që reflekton një forcë të tillë shpirtërore dhe heroike që do të ish e denjë për një burrë. Ndoshta personazhi i Marianne nuk ishte pikturuar asnjëherë më parë në një mënyrë kaq të thellë dhe komplekse sa ç’bëri krijuesi i saj Delacroix. Karakteri i saj në tablo merr dimensione pothuaj misterioze dhe duket sikur ajo fsheh nën vete personalitete të ndryshme.A e keni vënë re se në pothuaj të gjitha gjuhët e botës, emri i kombit është në trajtën femërore? A mundeni ta përfytyroni një nacion si një grua? Ose më saktë si dheu-mëmë? Pa dyshim mendoj se po, sepse në fund të fundit çdo nacion është një grua, një nënë e bijve të saj, e popullit të saj. Pra, është kjo grua e vendosur në qendër të kësaj pikture të famshme, nëna-Francë, e cila u ngrit nga burgu i saj i errët i varfërisë dhe përbuzjes për të drejtuar popullin e vet, bijtë e saj drejt dritës së lirisë? Dhe nëse kjo hipotezë është e vërtetë, atëherë pse mjeshtër Delacroix nuk e pagëzoi veprën e tij nën titullin e “Franca që drejton popullin”?E pamundur. Titulli i pikturës, të cilën historia njerëzore e ka trashëguar deri më sot, është i qartë “Liria drejton popullin”. Por, kur ne përdorim fjalën “Liri” midis fjalëve të tjera të titullit të pikturës, gjithnjë duke iu referuar imazhit të ilustruar, kë nënkuptojmë? Kush është Liria?
Druaj se pavarësisht përpjekjeve tona për të gjetur midis turmës së tablosë një tjetër personazh që mund të personifikojë “Lirinë”, është e pamundur të gjendet një i tillë, i shkëputur nga figura e Mariannes. Mariann është i vetmi personazh që mbart fjalën “Liri” përbrenda në këtë tablo.Pra, është e mundur që Marianne – mëmëdheu - dhe Liria të jenë e njëjta grua? Por... çfarë është liria, cili është kuptimi dhe nuanca e saj?Më lejoni të shqyrtojmë kuptimin dhe përdorimin e fjalës “liri” në mënyrën se si ajo perceptohej atëherë: në kohen kur Eugene Delacroix jetonte. Filozofët francezë, iluministët e kohës si Pascal dhe Spinoza, janë fokusuar në analizat e tyre filozofike tek natyra iluzive e lirisë. Bazuar në mendimet e tyre filozofike, ata krijuan teorinë që Liria s’ishte asgjë më shumë veçse një iluzion në mendjen humane, përderisa individi që kur lind nuk është i lirë të zgjedhë as shtëpinë e tij, as familjen ose kombësinë e tij.
“Njeriu nuk e gëzon dot kurrë lirinë e pastër gjatë jetës së tij. Ai është gjithmonë i detyruar t’i nënshtrohet rregullave dhe traditave të kërkuara nga shoqëria së cilës ai i takon, asaj shoqërie që ai (individi) nuk ka pasur kurrë rastin apo lirinë ta zgjedhë” Notes Benedictus Spinoza.Megjithatë, gjithnjë ka qenë e pranuar që forca, misioni i filozofisë në vetvete ka të bëjë me procesin e dyshimit, i cili e çon njeriun drejt një objektivi: analizimin aq sa mundet, të fenomeneve jetësore me qëllim zbulimin e së vërtetës së pastër. Sigurisht, është e qartë që veprat dhe analizat e Pascal dhe Spinoza kanë synuar të aprovojnë natyrën iluzive të lirisë, për hir të së vërtetës – sikurse ata e perceptonin ashtu.Por, le të mendojmë. Nëse do të lejonim teorinë e Pascal e Spinoza dhe të filozofëve të tjerë, që më vonë u emërtuan si “nihilistë”, të cilët e mbështesin këtë ide, atëherë ku qëndron vërtetësia, vitaliteti dhe rëndësia që liria bart në vetvete? Duke pranuar me kaq lehtësi dhe naivitet që “Liria s’është asgjë më shumë se një iluzion”, a nuk do të ishte për racën njerëzore dhe individin një dënim, një vetëndëshkim paraprak i ekzistencës së tij? A s’është e vërtetë që përmes këtij pohimi ne eliminojmë çdo shpresë të humanitetit? Të luftosh vazhdimisht për jetën, dinjitetin, përmbushjen e ëndrrave kur në vetvetë shpresa nuk mbartet - atëherë përse vlen të jetosh? Do t’ju ftoja të reflektoni mbi këtë. A s’është e vërtetë që për popullin e thjeshtë francez të shekullit të 18, të shpresonte se një ditë hierarkia shoqërore e dypolarizuar e kohës (midis aristokracisë dhe shtresës së varfër) do të rrafshohej dhe se populli francez do të ishte një ditë i barabartë para oportuniteteve dhe ligjit, dukej një ide e çmendur për epokën? Të shpresonte, të ëndërronte se do vinte një ditë që statusi shoqëror nuk do të trashëgohej më nga familja, por ai do të fitohej nëpërmjet një sistemi meritokratik, a nuk ishte e pabesueshme, e pamundur, iluzion ose vizion për atë kohë?
Historia ka treguar të kundërtën: Revolucioni Francez jo vetëm që arriti të realizohej, por më e rëndësishmja ishte se kjo ngjarje u shënua në historinë botërore si një ngjarje simbolike për demokracinë dhe në të njëjtën kohë ndriçoi, nxiti dhe provokoi një sistem të ri socio-politik në pothuaj të gjitha shtetet e kontinentit europian. Dhe nëse do të shohim më nga afër gjenezën, origjinën, arsyen e pastër, që provokoi fillimisht të gjitha revolucionet e mëdha, ndryshimet, zhvillimet në histori, do të gjejmë se aty ka të fshehur diçka patetikisht të thjeshtë dhe njëkohësisht frikshmërisht të fuqishme: Lirinë! Lirinë për të shpresuar! Lirinë për të ëndërruar! Lirinë për t’u ngritur dhe për të ecur!Kështu, nëse do flasim për lirinë, automatikisht ne mendojmë në forcën e shpirtit, në shpresë, në prosperitet. Dhe pikërisht në këtë pikturë, liria dhe të gjitha vlerat që ajo mbart, u paraqitën nga Delacroix si një grua...
Një grua? Ajo që në kozmogoninë kristiane e bindi Adamin të hajë frytin e ndaluar, duke u bërë kështu ajo që shkaktoi përjashtimin e njeriut nga Parajsa? Ajo për të cilën është menduar se ish e pushtuar nga Satanai dhe që u persekutua nga shoqëria si një shtrigë? Ajo që gjatë epokës së aristokracisë ishte e trajtuar si një manekin dhe një “makinë që lind fëmijë” në familjen aristokratike? është pra kjo grua, e perceptuar nga njerëzimi në mënyrat e mësipërme gjatë shekujve, të marrë në pikturën e Delacroix këtë rol fatal për kombin, të drejtojë popullin drejt Lirisë?Eugene Delacroix, i lindur në 1789 i takon lëvizjes artistike të Romanticizmit, i cili i ka rrënjët e tij në shek. 18 në Francë. Lindja e Romantizmit ka rezultuar si një revoltë intelektuale dhe shpirtërore kundër natyrës strikte dhe të ashpër të Klasicizmit i cili mbizotëronte në Francë prej rreth 2 shekujsh. Një grup i vogël intelektualësh, kryesisht artistë, ishin pionierët e këtij “revolucioni shpirtëror”, një brez i mbushur me gjallëri, pasion dhe ide të reja. Më të shquarit midis tyre janë Delacroix, Davide, Chopin, Gerome.
Një nga karakteristikat themelore të artistëve romantikë, përfshirë Delacroix, ka qenë kulti i emancipimit të gruas, duke theksuar vlerat e saj, brishtësinë, feminilitetin dhe duke himnizuar bukurinë e jashtme si dhe atë të brendshme. Bazuar në këtë karakteristikë, ne mund të arrijmë të kuptojmë përse Delacroix pikturoi me kaq kujdes të detajuar portretin e Marianne.
Por në fund, pavarësisht nga gjithë këto hipoteza....
Po sikur kjo grua të jetë thjesht figura e njohur mitologjike e Marianne dhe asgjë më shumë përtej kësaj? Apo Delacroix ka përdorur një nënkuptim të dyfishtë në përshkrimin e personalitetit të personazhit të tij femër? Një metaforë e thellë dhe universale që mund të fshihet pas figurës femërore e cila në heshtje thyen të gjitha tabutë e asaj kohe? Nëse ne deklarojmë “Liri, barazi, vëllazërim” a nuk e kërkojmë këtë universalisht, pavarësisht nga pozita shoqërore, raca, ngjyra dhe gjinia? A nuk jemi të gjithë të barabartë në sytë e Lirisë dhe Demokracisë? Ndoshta ky është edhe mesazhi që Delacroix fsheh në veprën e tij të pavdekshme. Megjithatë, bashkë me çdo hipotezë të ngritur rreth figurës misterioze të Marianne të pikturuar në tablo, do të ekzistojë gjithnjë një pikëpyetje e trishtuar dhe e shurdhet pranë saj...përderisa mjeshtër Delacroix e ka mbështjellë këtë sekret -nëse vërtet ka pasur një të tillë – në varrin e tij të heshtur.
#