E Diel, 1 Nëntor 2026

UNANIMITETI I RREMË

...ato që njohim përgjysmë (!)

“Edhe Fuqitë e Mëdha mund të tregohen unanime e të votojnë njëzëri, por asnjëherë nuk mund të mendohet, kurrsesi, që popujt e tyre kanë marrë të njëjtin vendim si ata!” – shkruante dikur ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Meternih, pas Kongresit të Vjenës (1815). Kjo tashmë është një e vërtetë e hidhur edhe në jetën e përditshme. Parimi i unanimitetit është i dobishëm dhe, ndonëse i vështirë për t’u arritur, i nevojshëm për marrëdhëniet njerëzore politike e sociale. Por ai që “e shthur çorapen” është “unanimiteti i rremë”, i cili nxjerr kryet sa herë që dikush do që të fshihet pas gishtit, duke shpallur “vendimet kolektive”, vendimet marrë “njëzëri” e si një votë e vetme, vendimet asgjësuese partiake “unanime”. E, megjithatë, askush nuk mund të prodhojë më njerëz të një prerjeje, të një formati dhe jo më që të jenë të gjithë të një mendjeje.

Edhe një mendim ndryshe e hedh poshtë sloganin e “unanimitetit”, të cilët duken ashiqare në grupet e mëdha parlamentare, në kryesitë e partive të mëdha politike, në asambletë përfaqësuese dhe në forume e organizma të ndryshëm. Edhe një qeveri e ka të vështirë (madje disa herë edhe më të vështirë se organizma të tjerë) të dalë me një vendim unanim. Madje, tani edhe Europa në forumet e veta më të larta nuk është më unanime. Vetëm socializmi i urryer ishte unanim, i shpëlarë moralisht me atë të pathënën e tmerrshme “bëjmë sikur...”, por ama edhe më i humburi e çonte nëpër mend si zgjidhje ideale!

Të paktën në Parlament nuk e shohim më “unanimitetin”, por “erën” ia ndiejmë, pasi ai “duket”, sidomos kur mbetet brenda një ngjyrë e vetme dhe kori interpreton me një zë. Të duken si fishkëllima të lemerishme që ushtojnë plot britma, të cilat për më keq groposen po me të njëjtën lemeri brenda vetes. Sepse të keqen, për të qenë unanim i çuditshëm ose edhe serioz, njeriu e ka me vetveten. Domethënë, si thotë Bandura, “njeriut social i shtohen të këqijat një e një dhe ditë pas dite, duke ushtruar sidomos dhunë ndaj të tjerëve, mjedisit e shoqërisë dhe, nga ana tjetër, duke gëlltitur liberalizëm të skajshëm me vetveten...”. Secili mund ta shohë me të dy sytë këtë përcaktim të jashtëzakonshëm. Madje Bandura shton se “njeriu si qenie e organizuar, nuk ka kurrë pikën e dëshirës për të njohur të metat e veta, i pranon ato vetëm me mendjemadhësi, para një grupi të padëmshëm për të dhe kur nuk pëson gjë, për të krijuar një situatë konforme dhe për të marrë vendime unanime. Por në të gjitha rastet sipas një unanimiteti të rremë!”

Të tillë pamje mund të ketë “vota plebishitare”, duartrokitjet e zjarrta dhe ulërimat pohuese (ose edhe mohuese), mbledhjet partiake për miratime programesh dhe proklamata diskriminuese etj. Në të gjitha këto raste manipulohet anonimati. Le të analizojmë: A do të jepnin goditje më të forta njerëzit e fshehur pas një maske, pasi fytyra e tyre nuk shfaqet? Mbase kështu mund të jepet një kontribut dhe brutaliteti i policisë së trafikut do të pakësohej po qe se policët do të kishin emrat e mëdhenj shënuar në uniformë dhe nuk do të mbanin nëpër duar blloqet e gjobave! Dhe blloqet duken si kobure bakalli drejtuar kujtdo! Dhe të gjithë kudo janë njëlloj, si të prerë me sharrë, kudo në vendin tonë, që prodhojnë “unanimitet të rremë”, kur mund të mbanin një çantë të bardhë e me rrip të bardhë (pjesë e uniformës) dhe, edhe ata do të ndiheshin mirë, por edhe ne si të gjobitur do të ishim më komodë...

Atëherë, të rikthyer në jetën e përditshme, ne i japim pikët asaj që nuk ekziston, “unanimitetit të gënjeshtërt”, sikur të pohojmë se jemi dakord me gjithçka e me këdo që na del përpara, kur ne grindemi një mijë herë me veten tonë dhe nuk arrijmë dot ta bindim atë, për të arritur qëllimin e duhur. Kështu ne thyejmë një rregull të brendshëm tonin dhe prej kësaj ulet vetëpëlqimi. Mos harroni se për shkak të vetëpëlqimit të ulët vjen si pasojë edhe një veprim kriminal. Domethënë krim social është edhe unanimiteti i gënjeshtërt. Ia fusim vetes sonë pa na ardhur keq fare. Nëse është e vërtetë thënia e Sokratit se jeta e panjohur nuk ia vlen të jetohet, atëherë “njohja e vetes” duket si një qëllim mjaft i vlefshëm!

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›