Duni: Dr. Shuster, Robert Ndrenika luan vetveten

Robert Ndrenika
Të enjten, në Teatrin Kombëtar drama e Kovaçeviç.
Aktori, në skenë pas 4 vitesh mungesë. Regjisori: Mjeshtërit si ai duhen nderuar.
Përmbysjet e sistemeve sjellin dhe përmbysje vlerash. Ata që dikur ishin të parë sepse e meritonin, sot shohin me dëshpërim katapultimin në rangje të larta të njerëzve të dhunshëm. Doktor Shusteri, dikur një doktor i nderuar, sot është katandisur në një këpucar… Një fat të ngjashëm kanë pasur edhe shumë të tjerë në Europën Juglindore postkomuniste. Drama e nëpërkëmbjes së vlerave ngjitet ditën e enjte në skenën e Teatrit Kombëtar. Bëhet fjalë për dramën Doktor Shuster të dramaturgut serb Dushan Kovaçeviç, me regji të Spiro Dunit, produksion i kompanisë private studio- teatër Po. Për të sjellë këtë vepër, Duni ka angazhuar një kast të larmishëm aktorësh, që përfshin që nga mësuesit, deri tek studentët. Pas një mungese 4-vjeçare ngjitet në skenë aktori Robert Ndrenika, i cili do të interpretojë rolin e Dr. Shusterit. Pjesë e kastit janë edhe aktorët Flaura Kureta, Artan Imami, Olta Gixhari, Ermir Sina dhe Mateus Frroku. Kjo vepër do të ngjitet në skenë ditën e enjte dhe përgatitjet janë në fazën përfundimtare.
Vetiu lind pyetja se përse zgjodhët Doktor Shuster?
Vepra është shkruar në vitin 2001 nga një mjeshtër për të cilin unë kisha mësuar nga vepra të mëparshme të tij, si Spiuni i Ballkanit, që është ndaluar në Kinë. Një autor i përkthyer në 18 gjuhë të botës, madje e 18-ta është shqipja. Kur Timo Flloko, që e kishte përkthyer me një mjeshtëri të madhe ma ofroi për ta lexuar, nisa ta shfletoj si ato veprat që ne i shohim nga 2-3 në ditë. Dhe zbulova se ishte diçka mes Çehovit, Beketit dhe Joneskos, pra një teatër ndryshe, një teatër metaforik, që nuk flet për përjetime të mëdha aktoreske, si në veprat e autorëve të tjerë klasikë. Ka një dialog brilant dhe një personazh të mrekullueshëm si doktor Shusteri, që do të thotë këpucar në serbisht dhe në shumë vende të Europës është përkthyer si shoemaker. Di që e kam pëlqyer veprën dhe e kam të vështirë të shpjegoj ngacmimet e mia dhe arsyet se pse e pëlqeva këtë vepër.
Ndodh që një vepër bashkëkohore të dekodohet lehtë, e ndjetë këtë risk?
Kjo është e vërtetë, sepse risku i një vepre bashkëkohore qëndron në faktin se sa e sjell realitetin kjo vepër dhe sa e sjell artistikisht këtë realitet. Sepse është shumë e lehtë të flasësh për ngjarje në Europën Juglindore. Shtypi çdo ditë mbushet me ngjarje nga ky rajon. Mjeshtëria qëndron tek metaforat që përdor. Një nga metaforat që ai përdor e që do të doja ta ndaja me ju: Një pacient i thotë Shusterit: Doktor më ke shpëtuar jetën përpara 6 vjetësh. Plumbi po më prekte zemrën, por për fat kisha ca dollarë në portofolin tim, se po të ishin dinarë, plumbi do depërtonte dhe ju doktor më thatë. Po, po e mbaj mend se çju thashë, që dollari është i fortë dhe rezistent edhe ndaj plumbit. Pra, të tilla metafora apo alegori ai përdor shumë.
Çfarë e bën të afërt me ne këtë vepër?
Mua më shqetëson nëpërkëmbja e vlerave, çka e shoh si një lajtmotiv të kësaj vepre. Nëpërkëmbja e vlerave në periudhën postkomuniste, në periudhën që ne e quajmë demokraci, por që vetëm demokraci nuk është. Si kundërpërgjigje të kësaj Europe Lindore të shkatërruar, ai merr Vjenën, të cilën e quan kryeqendrën e Perëndimit dhe të vlerave. Doktor Shusteri, që në shqip ne i themi është katandisur në një këpucar, në këto vite gjithmonë ëndërron Vjenën, ku ka kryer studimet.
Kush është doktor Shusteri në Shqipëri?
Ndoshta vetë Robert Ndrenika. Ndoshta nuk bëj mirë që e them, por edhe kur ai doli në pension, nuk u bë asnjë ceremoni për këtë mjeshtër të madh që ka mbi 200 role. Vë re se Berti ndien një mall të madh kur luan këtë rol, sepse dashuria e parë e aktorit nuk është regjisori, por teksti që regjisori i jep atij. Në bisedën e parë që kemi bërë mbi këtë rol, i thashë: Bert më duket sikur të rri ky rol. Po, më duket se më rri, mu përgjigj, si të më thoshte: Më rri ky kostum. Mjeshtërit e mëdhenj si ai, të cilët i kemi gjithnjë pak e më pak mes nesh, duhen nderuar. Por sigurisht ai nuk përbën ngjarje kombëtare, pasi ngjarje përbëjnë politikanët e përnatshëm që bëjnë propagandën mediatike. Ai është një ngjarje artistike për të gjithë ata që e duan teatrin shqiptar.
U bënë 4 vjet që Robert Ndrenika nuk ngjitet në skenën e teatrit, nuk janë shumë për një aktor të këtij niveli, por janë shumë për publikun, e patët të vështirë ta bindnit të kthehej?
Jo. Herën e fundit që ai është ngjitur në skenë, kemi punuar bashkë në vitin 2007, Njeriu që pa vdekjen me sy, me rastin e 60-vjetorit të teatrit Skampa. Berti atje e ka nisur jetën si aktor, pasi u emërua në Elbasan pas studimeve. Raportet e mia me të janë edhe raporte himarjotësh (unë jam nga Dhërmiu, ai nga Vunoi), raportet regjisor-aktor, por edhe raportet e një njeriu që ka vuajtur shumë në kohërat e vështira të komunizmit. Ai ka luftuar që unë të hyj në atë shkollë, për shkak se unë kisha atë xhaxhain e arratisur (se si më duket të flas për këtë gjë sot, pasi e shoh shumë larg). Është një fat i madh që e kemi mes nesh këtë mjeshtër të skenës dhe kinemasë.
Duhet ta mbani fort edhe ca kohë…
Ai është kaq i fortë dhe Perëndia i dhëntë shëndet. Ai është një shkollë për të gjithë aktorët. Unë kam përfshirë disa breza aktorësh në këtë shfaqje, deri tek studentët dhe u them: Shikojeni mirë. Objekti i referimit për ju është ky mjeshtër, që edhe në momentet kur nuk interpreton, është duke bërë diçka për personazhin dhe për të tjerët. Ka shumë ndjesi, të cilat është e vështirë ti përçosh me fjalë, por unë them: të lumtur janë ata që gjenden pranë tij dhe mes tyre jam dhe unë.
Kjo vepër vjen si një prodhim privat, vështirë për ta realizuar?
Është një bashkëpunim i kompanisë sime private teatrore Po dhe Teatrit Kombëtar. TK më ka vënë në dispozicion ambientet e teatrit. Ne i dimë vështirësitë që kanë kompanitë private, por dy ditë përpara premierës, nuk dua të flas për vështirësitë. Dua të uroj që spektatori ta pëlqejë dhe jam i bindur për këtë.
Si e ka pritur autori i veprës, Kovaçeviç, këtë bashkëpunim?
E ka parë me shumë interes, si një bashkim kulturor të këtyre vendeve, që kanë një marrëdhënie të firmosur nga ministritë e Kulturës në 2006-n. Megjithatë, kjo firmë nuk ka shumë lidhje. Mua më pëlqeu vepra, ai mund të ishte edhe nga Zanzibari e unë sërish do ta vija veprën. Ai është një mjeshtër i teatrit, por mbi të gjitha një stigmatizues i realitetit serb dhe ballkanas dhe postkomunist të Europës Juglindore në këta 20 vjet. Ne e prisnim të vinte, por ai ka bërë një by pass në zemër. Drejtori i Teatrit Kombëtar i Beogradit kishte marrë përsipër që ta sillte me makinë, që ai të mos fluturonte, por doktorët e kanë ende nën mbikëqyrje. Dëshiroja shumë që të vinte, pasi doja që ai ta shikonte shfaqjen, duke qenë se ai nuk është vetëm dramaturg, por edhe regjisor.
Ndoshta është pak e vjetruar si mendësi, por a keni ndier gjatë procesit të punës ndonjë lloj pengese për faktin që regjisori është serb dhe tek-tuk tek shqiptarët ngre krye nacionalizmi…?
Problemi është se çthotë ai. Nëse ai do ti bënte himne Serbisë, sigurisht që nuk do të ishte objekt për mua, por duke qenë një dramaturg i madh, ai merr nga Ballkani, nga vendi i tij, këtë fenomen, duke e përgjithësuar për Europën Juglindore, ku vlerat janë të nëpërkëmbura. Për mua nuk përbën asnjë rëndësi, do ta merrja ngado që ishte.
ALMA MILE