E Shtunë, 31 Tetor 2026

1000 paund peng për vizë familjare britanike

 
 
NGA LEXUES
 
Me qëllim që të sigurohet kthimi dhe të zvogëlohet numri i vizitorëve që vijnë nga vende që i nënshtrohen regjimit të vizave, Home Office propozoi dje që të futet një shumë prej £1000 si peng, për njerëzit që dëshirojnë të sjellin për vizitë në Britani të afërmit nga këto vende. Kjo po bëhet me qëllim që vizitorët që marrin këto viza, pas skadimit të afatit të vizave të kthehen në vendet e tyre, dhe vetëm atëherë kur dëshmohet se janë kthyer, kjo shumë e parave do t'i kthehet sponsorizuesit. Këtë lajm i nderuar "Shekulli" mund ta gjeni edhe në ukalbanians.org dhe është shumë shqetësues për komunitetin e emigrantëve shqiptarë të Londrës dhe më gjerë.
Në informacion thuhet gjithashtu se gjatësia e vizave turistike do të shkurtohet nga 6 muaj në 3, si dhe Home Office (policia britanike) do të propozojë krijimin e vizave speciale për biznesmenë, si dhe viza me afat të shkurtë kohor për ngjarje, përfshi këtu edhe Olimpiadën 2012 që do të mbahet në Londër.
Duket se plani i futjes së kësaj shume jo të vogël si peng për marrjen e vizës familjare do të nxisë kritika të rrepta nga komunitet e ndryshme që jetojnë në Britani. Bile kjo mund të ndikojë që votuesit që vijnë nga minoritetet etnike të mos votojnë për Laburistët.
Kolumnistja Melanie McDonagh, e cila ndër të tjera shkruan edhe për të përditshmen britanike "The Times", kritikon këtë propozim të ri të Home Office-it duke u nisur nga përvoja e saj personale. Ajo është e martuar me një shqiptar nga Kosova dhe shkruan se si prindërit e burrit të saj vijnë shpesh në Angli për vizitë, por pasi që ata janë shqiptarë nga Kosova atëherë ata do të duhej të paguanin £1000, nëse ky propozim aprovohet. Ajo ankohet se kjo shumë është e lartë pasi që ajo ka dy fëmijë dhe borxhe në kredit kartela dhe argumenton se ajo nuk do të ishte e vetmja që do të kishte vështirësi të paguante këtë shumë parash.
Ajo shton se, "gjëja e vërtetë që frustron në lidhje me këtë plan gjysmë të zier është se, si gjithmonë, është rezultat i qeverisë e cila është në humbje në lidhje me atë se çka do të bëjë me numrin e madh të imigrimit të pakontrolluar. Kështu që bëhen shumë të rreptë me njerëz të cilëve munden t'ua hedhin këtë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›