"Rinia, në gangrenën e pasivitetit"
Darkën e 8 dhjetorit më rastisi që të kthehesha në shtëpi jo si gjithë herët e tjera, por pak më vonë se gjithmonë. Arsyeja ishte së meqenëse kisha një ditë pushim mendova të bëja disa gjëra, të cilat i kisha lënë disi pas dore.
Menjëherë, sa ulem, ndez televizorin (se e kam zakon që sa herë ulem në divan, gjithmonë ndez televizorin) dhe filloj të kontrolloj me radhë të gjitha kanalet shqiptare por jo vetëm, për të gjetur ndonjë gjë tërheqëse për t;u çlodhur nga stresi i ditës, por pa e kuptuar telekomanda e fikson televizorin në një nga edicionet kryesore të lajmeve (emrin e televizionit nuk po e them). Lajmi kryesor kishte të bënte me një përvjetor të fillimit të protestave mbarëpopullore shqiptare pas viteve '90 për të rrëzuar sistemin autoritarist dhe për të sjellë edhe në Shqipërinë tonë frymën demokratike perëndimore. Pak më tutje, nga mesi i edicionit 8 Dhjetori konsistonte në një tjetër festë; atë të Rinisë. E shoh mëse të nevojshme të shpreh edhe unë opinionin tim për Rininë, në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti, pasi edhe personalisht jam pjesë e këtij grupi. Pyetja ime është: Pse rinia në Shqipëri po shfaq çdo ditë e më shumë një tendencë drejt agresivitetit, dhunës, parasë, interesit, përfitimit etj? Cilido prej nesh në qoftë se kërkon të realizojë ndonjë vëzhgim vetjak për ndonjë studim a për ndonjë anketim, do ta gjejë lehtë përgjigjen: PAPUNËSIA.
Të marrim p.sh., një pjesë të konsiderueshme të rinisë shqiptare që jeton në fshat (ajo që ka mbetur aty, pasi pjesa më e madhe ose kanë emigruar jashtë shtetit ose kanë fituar të drejtën për të studiuar në Universitet). Jeta për ta është një rutinë e tejskajshme mes varfërisë, (fut këtu dhe mungesën e dritave, ujit etj.). Jeta e një të riu rrotullohet rreth pak veprimeve: dalja në mëngjes dhe pirja e kafesë në ndonjë nga kafenetë; pasi kalohet gjysma e ditës aty bëhet kthimi për në shtëpi, ku është momenti i drekës. Pas drekës vjen orari i gjumit dhe pasditja kalohet duke parë televizor. Më pas vjen darka, ku sërish frekuentohet kafeja (nëse ta mban xhepi një të dytë brenda ditës) për të kaluar orët e errësirës derisa të vijnë dritat dhe përsëri bëhet kthimi për në shtëpi, për t'iu rikthyer sërish të nesërmes. Kjo për djemtë, se për seksin femëror në fshat as që nuk mendohet gjë tjetër veç shtëpisë. Kurse të rinjtë në qytet e kalojnë kohën më të madhe duke u endur sa në një lokal në një tjetër, çka e përforcon edhe më shumë zbrazëtinë tonë shpirtërore. Kush dhe kur do t'i thotë "Ndal!" këtij pasiviteti që po e gangrenizon rininë në Shqipëri?