Një vulë e vonuar për shqiptarët me kombësi greke
PYETJE ME SMS
NË CEL. 06920 61489
I nderuar "Shekulli"! Jemi një familje shqiptare nga Gjirokastra, me kombësi greke, aktualisht në emigrim. Ju shkruajmë nëse mund të na ndihmoni për të marrë disa informacione shtesë, lidhur me procedurat e ndryshuara të vulosjes së certifikatave në Ambasadën Greke në Tiranë. Procedura që më parë ishte e menjëhershme, tashmë zgjat me javë, madje shpesh më shumë se 30 ditë. Njerëzve tanë në zyrën përkatëse u thonë se vonesa bëhet për shkak të verifikimit të dokumentacionit. Nëse mundeni, a mund të botoni informacione shtesë lidhur me këtë dhe veçanërisht me kohën sa do zgjasë tashmë ky proces i rëndësishëm për ne? Me respekt, nga Lamia, Greqi
Më shumë se një muaj. Kaq kohë duhet të presë një shtetas shqiptar me kombësi greke, për të vulosur në Ambasadë një certifikatë të lëshuar nga gjendja civile shqiptare. Të paktën kaq ka pritur Dionis Nikollari, një qytetar nga Vunoi i Himarës, për të vulosur 3 certifikatat e së bijës që jeton në Greqi. "Asnjëherë nuk ka ndodhur kështu. Më parë, merrje dokumentin e dorëzoje dhe të thoshin hajde tërhiqe nesër. Këtë herën e fundit kam pritur me tepër se një muaj. Shyqyr të paktën që na caktojnë një ditë dhe një orar, se do mbeteshim ditë për ditë përpara sportelit",- thotë z.Dionis, ndërkohë që i ka kaluar orari i marrjes së vizës, por nuk ka mbaruar ende radha. Lutet që të mbarojë punë që sot.
Dionisi nuk është i vetmi shqiptar me kombësi greke, që tashmë duhet të presë shumë më tepër se më parë për të marrë mbrapsht me vulën konfirmuese, dokumentacionin e dorëzuar në ambasadë. Të njëjtat fjalë na pohoi edhe një tjetër shqiptar me kombësi greke nga Vunoi. Ai tha se e kishte dorëzuar certifikatën në datën 1 Nëntor dhe kishte mundur ta tërhiqte vetëm pas 1 muaji.
Përpjekja e Ambasadës fokusohet tek ato certifikata të cilat në kombësinë e poseduesit shënojnë "greke". Me shtetasit e tjerë shqiptarë, të cilët kanë kombësi shqiptare, nuk ndodh e njëjta vonesë. Resmie Pasha, nga Fieri, na thotë se sapo e ka dorëzuar certifikatën dhe i kanë thënë që duhet të vijë nesër që ta tërheqë të vulosur.
"Kontaktova para 3 javësh me Ambasadën. Më kishin caktuar ditën e sotme për t'u paraqitur në sportel bashkë me certifikatën dhe erdha. Me sa kuptoj, do ta tërheq të vulosur nesër...". Znj.Resmie duhet t'i çojë të birit në Greqi 2 certifikata familjare dhe 1 personale, që duhen për nxjerrjen e vizës së nipit të saj.
***
NË AMBASADËN GREKE: Kontaktuam me Zyrën e Shtypit të Ambasadës Greke, ku pyetëm lidhur me shqetësimin e prezantuar në redaksi nga lexuesit. Ata sqaruan: "Po zbatojmë një procedurë standarde të kontrollit të këtyre certifikatave. Pikërisht kjo procedurë, që kërkon disa ditë punë, është bërë shkak i këtyre vonesave. Verifikohet nëse certifikata që na është sjellë për vulosje është e vlefshme ose jo dhe nuk i vihet vulë asaj derisa vlefshmëria e saj të na konfirmohet nga zyra përkatëse e gjendjes civile që ka lëshuar certifikatën".
Ambasada Greke dërgon nëpër zyrat e gjendjeve civile, fotokopjen e certifikatës, bashkangjitur me një kërkesë zyrtare për verifikimin e dokumentit.
NË NJËSINË BASHKIAKE: Për të ndjekur rrugëtimin e dokumentacionit, shkuam në një nga njësitë bashkiake të Tiranës. Jeta Seitaj, kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.5, na tha se kërkesa të tilla nga Ambasada Greke po vijnë thuajse çdo ditë.
"Vetëm sot kanë ardhur 15 të tilla dhe ia kalova menjëherë zyrës së Gjendjes Civile për verifikim në Regjistrin Themeltar. Për secilën prej tyre i kthej një përgjigje zyrtare ambasadës. Në përgjigje sqarojmë nëse certifikata është lëshuar pranë njësisë tonë bashkiake apo jo",- tha kryetarja e minibashkisë. "Nga ajo që kemi vënë re,- tha kryetarja Seitaj,- shtetasit për të cilët ambasada kërkon verifikim kanë kombësi greke. Pasi verifikohen prej nesh ditën që vijnë, nisen për në ambasadë ditën tjetër".
Pse ka vonesa? Problemi qëndron te Posta. Normalisht duhen 10 ditë për të ardhur zarfi me dokumentacionin dhe 10 ditë të tjera për të shkuar. Sipas znj.Seitaj, do të ishte shumë herë më mirë nëse kjo punë do të realizohej me një korrier të posaçëm dhe jo me Postë. Kështu, nuk do të merrte kaq shumë kohë...