Ku përfundojnë sendet e sekuestruara nga prokuroria e gjykata
Shteti shqiptar përfiton miliona euro nga pasuritë e personave të arrestuar e proceduar penalisht për një vepër penale. Megjithatë, në Shqipëri funksionojnë dy ligje që u marrin pasuritë "kriminelëve". Në Kodin e Procedurës Penale parashikohet mënyra e sekuestrimit ndaj personave që realizojnë krime "të vogla", ndërsa në ligjin "Antimafie" parashikohen sekuestrot ndaj personave me rrezikshmëri të madhe shoqërore të akuzuar si drejtues të organizatave kriminale. Megjithatë, dy ligjet janë të ndryshme nga njëri-tjetri. Në të parin, barrën e provës duhet ta vërtetojë organi procedues, pra prokuroria, ndërsa në të dytin, vetë qytetarët. Në Kodin e Procedurës parashikohen me detaje të gjitha procedurat që ndiqen ndaj një të arrestuari, i dyshuar për një vepër penale e deri në dënimin e këtij personi.
Kontrolli
Kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale ose sende të veprës penale gjykata merr vendim për kontrollin personal. Në rast se personi është duke ikur, oficerët e policisë gjyqësore ushtrojnë kontroll mbi të. Sipas Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari ose prokurori disponojmë me vendim të arsyetuar sekuestrimin e provave materiale dhe të sendeve që lidhen me veprën penale, të cilat janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve. "Kur gjykata ka arsye të bazuara të mendojë se në zyrat postare ose telegrafike gjenden letra, letra me vlerë, zarfe, pako, telegrame dhe objekte të tjera të korrespondencës që janë dërguar nga i pandehuri ose që i drejtohen atij, vendoset sekuestrimi. Gjykata mund të vendosë sekuestrimin pranë bankave të dokumenteve, letrave me vlerë, shumave të depozituara në llogari rrjedhëse, edhe nëse gjenden në kasetat e sigurisë, kur ka arsye të bazuara të menduara për të menduar se ato kanë lidhje me veprën penale, edhe kur nuk u përkasin të pandehurit ose kur nuk janë në emër të tij", thuhet në Kodin e Procedurës Penale. Ndërkohë, në të parashikohet se prokuroria mund të marrë si provë materiale edhe dokumente të klasifikuara për sekretin shtetëror.
Ruajtja e sendeve
Në Kodin e Procedurës Penale parashikohen qartë të drejtat e të arrestuarve për të kundërshtuar sekuestrimin. "I pandehuri, personi tek i cili janë sekuestruar sendet dhe ai që ka të drejtën e kërkimit të tyre, mund të bëjë ankim në gjykatë kundër vendimit të sekuestrimit", thuhet në një dispozitë. Sipas tyre, sendet e sekuestruara ruhen në sekretari. Kur ajo nuk është e mundur ose e përshtatshme, prokuroria urdhëron që ato të ruhen në një vend tjetër, duke përcaktuar mënyrën e ruajtjes. "Gjatë veprimit të dorëzimit, ruajtësi paralajmërohet për detyrimin e ruajtjes dhe paraqitjes së sendeve kur kërkohen nga organi procedues, si dhe për dënimin e parashikuar nga ligji penal për atë që shkel detyrimin e ruajtjes. Sendet e sekuestruara sigurohen me vulën e organit procedues, ose në varësi nga natyra e sendeve me mjete të tjera të përshtatshme që tregojnë se ato ruhen për nevojat e drejtësisë", thuhet në ligj. Më tej shtohet se prokuroria nxjerr kopje të dokumenteve dhe fotografi ose riprodhime të tjera të sendeve të sekuestruara që mund të ndryshojnë ose që ruhen në vështirësi, të cilat i bashkon me aktet dhe urdhëron ruajtjen e tyre në sekretari. Për sende që mund të ndryshojnë, organi i akuzës urdhëron tjetërsimin ose asgjësimin e tyre.
Kthimi i sekuestros
Kur nuk është e nevojshme mbajtja e sekuestros për qëllime prove, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë edhe para se të merret vendimi përfundimtar. Kur është e nevojshme, organi i procedurës urdhëron të sillen sendet e kthyera. Gjykata mund të disponojë që kthimi i sendeve të mos bëhet kur, me kërkesën e prokurorit ose paditësit civil, duhet të mbahet sekuestrimi për të siguruar padinë civile. "Pasi vendimi merr formë të prerë, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë, përveç rasteve kur vendoset konfiskimi", thuhet në Kod. Sipas tij, janë vendosur disa rregulla për kthimin e sendeve të sekuestruara. Gjykata vendos kthimin e sendeve kur nuk ka dyshim për përkatësinë e tyre. Gjatë hetimeve paraprake, kthimi i sendeve të sekuestruara urdhërohet nga prokurori. Kundër këtij urdhri të interesuarit mund të bëjnë ankim në gjykatë.